Nga data 19 deri më 21 nëntor 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një seminar trajnimi të trajnerëve për 35 punonjës të lartë të burgjeve. Fokusi ishte te Rregullat e Nelson Mandelës, standardet e rishikuara të OKB-së për trajtimin e të burgosurve, të cilat synojnë të mbrojnë të drejtat e personave të privuar nga liria, duke përfshirë mbrojtjen nga tortura dhe keqtrajtimi.
Rregullat e Nelson Mandelës konsiderohen si një kornizë thelbësore ndërkombëtare për menaxhimin e burgjeve, të quajtura kështu për nder të Nelson Mandelës, i cili kaloi 27 vjet në burg duke luftuar për të drejtat e njeriut. Trajnimi, i mbështetur në një manual të ri të hartuar nga OSBE/ODIHR-i dhe Penal Reform International, u dha pjesëmarrësve njohuritë dhe mjetet praktike të nevojshme për zbatimin e këtyre rregullave në punën e tyre të përditshme.
“Në përputhje me angazhimet e OSBE-së, të gjithë personat e privuar nga liria duhet të trajtohen me respekt për dinjitetin e tyre njerëzor, sipas standardeve ndërkombëtare. Trajtimi i shkelësve të ligjit nga autoritetet gjyqësore është një provë vendimtare për çdo shoqëri”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, në hapje të veprimtarisë.
“Qëllimi i vërtetë i burgjeve nuk është ndëshkimi, por rehabilitimi dhe riintegrimi i individëve në shoqëri, duke u dhënë atyre një shans të dytë për të jetuar me dinjitet dhe përgjegjësi. Falënderoj ambasadorin e OSBE-së dhe gjithë stafin për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë në këtë projekt. Kontributi juaj është një shembull i qartë i përkushtimit për përmirësimin e jetës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të integruar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose.
Trajnimi mbuloi një sërë temash, nga të kuptuarit e parimeve thelbësore të Rregullave të Nelson Mandelës deri tek ushtrimet praktike që synojnë përmirësimin e aftësive si komunikimi, ndjeshmëria dhe toleranca në mjedisin e burgut. Trajnimi theksoi, gjithashtu, se si nga një qasje mbështetur te të drejtave të njeriut në menaxhimin e burgjeve mund të përfitojnë jo vetëm të burgosurit, por edhe personeli, institucioni dhe shoqëria në përgjithësi.
Ky trajnim është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së për reformën e burgjeve në Shqipëri dhe i përfshirjes së saj aktive në promovimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Ai rrit kapacitetet e Qendrës së Trajnimit të burgjeve dhe siguron që njohuritë e marra do të përcillen tek i tërë personeli.
Kontributi i Prezencës në sistemin penitenciar ndër vite përfshin: mbështetjen për ngritjen e Shërbimit të Provës; mbështetje legjislative dhe në politika; punën për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm; mbështetjen për regjimin special në burgjet e sigurisë së lartë; dhe krijimin e një programi Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.