BallinaEkonomiIFC dhe AAB nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të avancuar shërbimet financiare digjitale...

IFC dhe AAB nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të avancuar shërbimet financiare digjitale dhe zhvillimin e fintech në Shqipëri

spot_img
spot_img

Më 20 nëntor 2024, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), e përfaqësuar nga Presidenti, z. Bledar Shella, dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), e përfaqësuar nga Menaxheri Rajonal për Ballkanin Perëndimor, z. Nicolas Marquier, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të fuqizuar rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale (DFS) dhe ekosistemit fintech në Shqipëri. Marrëveshja fokusohet, gjithashtu, në përmirësimin e efikasitetit të sistemeve të informacionit të kreditit (CIS) në vend, duke rritur qasjen në financa për individët dhe bizneset.

Projekti menaxhohet nga Njësia Këshilluese dhe Ekonomike e IFC-së dhe financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Ky partneritet synon të krijojë një ekosistem financiar modern dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri duke nxitur bashkëpunimin midis palëve të interesuara publike dhe private, duke promovuar inovacionin dhe forcuar infrastrukturën financiare.

Lidhur me këtë projekt, AAB do të bashkëpunojë me IFC-në duke punuar në ekipe teknike për vlerësimet, diagnostikimin dhe organizimin e seminareve, trajnimeve dhe nismave për ngritjen e kapaciteteve, etj.. Gjithashtu, do t’i japë IFC-së të gjithë informacionin e nevojshëm, në varësi të ligjit shqiptar, për të siguruar zbatimin efektiv të projektit.

Objektivat kryesore të marrëveshjes

Ky bashkëpunim do të fokusohet në gjashtë fusha kryesore për të ndërtuar një sistem financiar më të fortë dhe më gjithëpërfshirës në Shqipëri:

  1. Thjeshtimi i procesit të identifikimit digjital dhe e-KYC: Mbështetja e adoptimit të praktikave elektronike “Njih klientin tënd” (e-KYC) për të përmirësuar autentifikimin e përdoruesve dhe menaxhimin e rreziqeve.
  2. Avancimi i Open Banking: Identifikimi i mundësive me ndikim për zhvillimin e Open Banking dhe ofrimi i asistencës teknike për të mundësuar integrim më të mirë dhe përvoja më të mira për klientët.
  3. Promovimi i pagesave pa para (cashless): Ndarja e praktikave më të mira ndërkombëtare për të rritur adoptimin e sistemeve të pagesave pa para dhe të menjëhershme, duke rritur njëkohësisht edukimin financiar.
  4. Forcimi i sigurisë kibernetike: Rritja e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e sigurisë kibernetike dhe mbështetja e sektorit financiar në adoptimin e praktikave të sigurta.
  5. Shfrytëzimi i teknologjisë cloud: Fuqizimi i sektorit financiar për të shfrytëzuar zgjidhjet e bazuara në cloud duke siguruar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave.
  6. Përmirësimi i sistemeve të informacionit të kreditit: Mbështetja për krijimin e byrove private të kreditimit dhe përmirësimi i përdorimit të të dhënave për të rritur qasjen në financa për segmentet më pak të mbuluara.

Mbi rëndësinë e marrëveshjes:

Kjo marrëveshje pritet të ketë një ndikim transformues në sektorin financiar në Shqipëri duke zgjeruar qasjen në zgjidhje financiare digjitale të përballueshme dhe inovative; forcuar infrastrukturën për një treg të qëndrueshëm fintech; dhe mundësuar sisteme kreditimi më të sigurta dhe më efikase që mbështesin si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.

Nisma do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027 dhe pasqyron angazhimin e përbashkët të IFC dhe AAB për të mbështetur modernizimin e ekosistemit financiar të Shqipërisë dhe përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare.

Rreth partnerëve

AAB

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) përfaqëson sektorin bankar në Shqipëri dhe, në partneritet me palët publike dhe private, kontribuon në përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe adresimin e çështjeve kyçe të industrisë për të formuar strategji të përbashkëta për sektorin bankar.

IFC

Anëtar i Grupit të Bankës Botërore, IFC është institucioni më i madh i zhvillimit global që fokusohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Projekti i Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financimit të Integruar i Ballkanit Perëndimor dhe Projekti i Sistemit të Informacionit të Kredisë i IFC-së ofrojnë këshilla për përafrimin e sistemeve financiare shqiptare me standardet evropiane, duke nxitur njëkohësisht inovacionin dhe përmirësuar sistemet e informacionit të kreditit.

SECO

Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) është qendra kompetente e Zvicrës për bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik. Programet e SECO synojnë të arrijnë rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme duke krijuar vende pune më të mira, rritur tregtinë dhe konkurrencën, si dhe mbështetur ekonomi elastike dhe të qëndrueshme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular