Kristjan Asllani është kthyer sot në fushën e lojës si titullar me Interin dhe ka shpalosur të gjithë talentin e tij duke ndihmuar skuadrën të triumfonte me shifrat 5-0 ndaj Veronës në transfertë.
Mesfushori i Kombëtares ka qenë një nga më të mirët në fushë duke zhvilluar një lojë të shkëlqyer, si për t’u mbyllur gojën të gjithë kritikëve që e shihnin atë si një lojtar jo në nivelin e zikaltërve.
Statistikat që regjistroi futbollisti në ndeshjen e sotme, tregojnë plotësisht të kundërtën, pasi përveç asistit për golin e De Vraj, Asllani ka qenë mbresëlënës edhe në menaxhimin e lojës të ekipit të tij. Sipas statistikave të grumbulluara nga “SOFASCORE”, ai ka realizuar një shifër të çmendur pasimesh, duke tentuar 117 të tillë e gabuar vetëm 4 herë!
Ndaj nuk është rastësi që portali i njohur ka vlerësuar Asllanin me notën e lartë 7,9 për paraqitjen në këtë sfidë, duke u bazuar te statistikat që ai ka regjistruar në këtë ndeshje, ku ishte më i vlerësuari mes lojtarëve të mesfushës zikaltër.