Nga Hasan Bello
Sipas dokumentacionit, Perandoria Osmane nuk e pengoi mbajtjen e Kuvendit të Vlorës. Megjithatë, ajo ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë. Këshilli i Ministrave (“Meclis-i Vükelâ”) më 27 nëntor 1912 vendosi që për të evituar shkëputjen t`i jepte Shqipërisë autonomi administrative. Sipas tij, shqiptarët dhe osmanët duhej të bashkërendonin veprimet në interes të të dyja palëve.
Më 2 dhjetor 1912 gazeta “Ikdam” që dilte në Stamboll njoftoi pavarësinë e shtetit shqiptar. Ndërsa Ismail Qemali i telegrafoi Vezirit të Madh lajmin e formimit të qeverisë provizore. Ky vendim motivohej me izolimin e plotë të Shqipërisë dhe me pazotësinë e Perandorisë Osmane për ta mbrojtur atë nga armiqtë e jashtëm. Ai, e siguroi kryeministrin, Mehmet Kamil Pashën se Shqipëria do të përpiqej që t`i ruante lidhjet fetare me Kalifatin Osman dhe të zgjidhte një organizim politik, i cili do t`i përshtatej sa më mirë me interesat e Perandorisë Osmane. Në këtë telegram, Ismail Qemali, e kishte evituar me kujdes fjalën pavarësi.
Korrespondenca e qeverisë osmane me kryetarin e Qeverisë së Vlorës lidhur me ndihmën që duhej t`u jepej forcave osmane që ndodheshin në krahinat e Shqipërisë, konfirmon faktin se midis dy qeverive ekzistonte një komunikim i hapur. Kjo do të vihet re në mbështetjen logjistike dhe furnizimet që Stambolli dërgoi drejt brigjeve shqiptare, në ndihmë të reparteve osmane që gjendeshin të shpërndara në brendësi të territorit shqiptar.
Më 28 dhjetor 1912, Namik Delvina (i cili në Qeverinë e Vlorës ka shërbyer si këshilltar i Ministrisë së Jashtme, si Inspektor i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave) njoftoi Emin Beun në Lushnjë se “Në një telegram shifër që u muar sot nga Sadareti (Kryeministria e Perandorisë Osmane-H.B.) thuhet se Stambolli po përpiqet për formimin e një Shqipërie”. Një fakt i tillë konfirmohet nga memorialistika dhe ditarët e komandantëve osmanë. Megjithatë, informacioni që kemi deri sot ende nuk na lejon të përcaktojmë se deri në çfarë shkalle shtrihej kjo “përpjekje”.
Sipas librit të Sylejman Kylçe-s, ish ushtarak që ka shërbyer në Shqipëri dhe autorë i dy librave shumë të rëndësishëm për raportet shqiptaro-osmane, më 29 janar 1913, qeveria osmane deklaroi se e njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe kërkoi që flamujt e të dyja vendeve të ngriheshin pranë njëri-tjetrit. Por, Qeveria e Vlorës, nuk e kishte marë seriozisht këtë deklaratë.
Në vijim të kësaj politike më 11 shkurt 1913, Porta e Lartë, urdhëroi komandën e forcave osmane në Lushnjë, që krahas flamurit osman, të ngrinin edhe flamurin shqiptar. I pyetur nga kjo Komandë, Aziz Pashë Vrioni, kërkoi mendimin e Ismail Qemalit. Megjithëse i përmbahej pikëpamjes se nga ky akt tani nuk kishte më asnjë përfitim.
Në pranverë të vitit 1913, Qeveria e Vlorës filloi të ndiqte një politikë afrimi me Stambollin. Në një intervistë që Ismail Qemali dha për gazetën italiane “Giornale d`Italia”, deklaroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, ishin krejt paqësore. “Në Vlorë,-deklaroi ai,- kemi marrë një njoftim zyrtar të Vezirit të Madh, i cili e njeh pavarësinë e Shqipërisë dhe të drejtën që të kemi flamurin tonë”. Sipas tij, qeveria osmane kishte njoftuar mytesarifin e Beratit se, ajo tani e njihte pavarësinë dhe kishte kërkuar nga autoritetet ushtarake që kishin mbetur në Shqipëri, të respektonin flamurin shqiptar.
Megjithatë nuk mund të thuhet me siguri se qeveria osmane e njohu shtetin shqiptar si subjekt të pavarur të së drejtës ndërkombëtare. Deri sot nuk kemi asnjë dokument zyrtar. Kjo edhe për shkak se gjatë kësaj periudhe, Perandoria Osmane kaloi një situatë të trazuar politike. Grushtet e shtetit dhe Lufta e Parë Botërore u shoqëruan me asgjesim dhe djegie dokumentesh, të cilat për historianët e bëjnë të paqartë këtë çështje.