Një 50-vjeçar u dëmtua për vdekje nga makineria në të cilën po punonte këtu në fabrikën e përpunimit të duraluminit në Shkozet të Durrësit.
Punonjësi Dritan Nasufi mbërriti pa shenja jete në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti, si dhe verifikimin e kushteve të sigurisë teknike në vendin e punës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së hënë, ndërsa viktima ishte duke punuar në ambientet e kompanisë “Pespa Alumin”. Burime spitalore bënë me dije se Nasufi mbërriti në spital pa jetë, ndaj trupi i tij u dërgua për ekspertizë mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes.
Ndërkaq grupi hetimor që mbërriti pranë kompanisë “Pespa Alumin” ka marrë dëshmitë e para, si dhe ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të siguruar provat e nevojshme për zbardhjen e saj. Hetimet pritet të zbardhin edhe nëse janë respektuar kushtet e sigurimit teknik në punë dhe standardet ligjore të punësimit për të përcaktuar personat përgjegjës.