NGA ELMI BERISHA
I nderuar Presidenti Begaj, Të nderuar përfaqësues të qeverisë, ambasadorë, bashkatdhetarë, motra e vëllezër!
Kam nderin dhe privilegjin t’ju dërgoj urimet e mia dhe të gjithë Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Pak ditë më parë, VATRA e festoi 112-vjetorin e krijimit të Shqipërisë. Me atë rast, urimet vinin nga Shqipëria drejt Amerikës, ashtu siç vijnë sot përgëzimet nga Amerika në Shqipëri. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Vatranët nga Amerika dhe atdhetarët anë e mbanë punuan për ndërgjegjësimin kombëtar, që çoi në arritjen e pavarësisë. Si pasardhësit e tyre, ne sot çmojmë jo vetëm ëndrrën e tyre për liri, por edhe vizionin e largpamësinë e tyre.
VATRA vërtetë u formua në Amerikë, por ajo është gjithmonë pjesë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Formimi i VATRËS vërtet i parapriu shpalljes se Pavarësisë, por VATRA i takon historisë sonë aq sa edhe së ardhmes sonë të përbashkët. VATRA është shoqata më e vjetër e shqiptarëve sot në Amerikë dhe në mbarë botën. Ajo është krenare për rrugën e saj dhe e bindur dhe e ndërgjegjshme për misionin e saj fisnik për të ardhmen.
I nderuar President Begaj, me përulje përpara atyre që e bënë të mundur pavarësinë dhe vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj atyre që do të vijnë pas nesh, ju uroj: Gëzuar 112-vjetorin e Pavarësisë! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Amerikën!
* Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.