BallinaOP EDBujar Leskaj: Dr.Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Bujar Leskaj: Dr.Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj
Formula e presidentit Rugova: Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-në, do ta qetësonte këtë pjesë ( Ballkanin)të Evropës e të botës!

Sot, në 2 dhjetor do të festonim 80 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, i lindur në Cerrcë të komunës së Istogut. Në 1945 komunistët jugosllavë i pushkatojnë babanë dhe gjyshin, për shkak se ishin shquar si luftëtarë nacionalistë kundër çetnikëve serbë.

Diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971.

Ishte vetën 24 vjeç kur Ibrahim Rugova do të shkruante esenë e tij të parë për themeluesin e shtetit shqiptar, Atin e Kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën.

Më 1984 mbrojti doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Në 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist të Miloshevicit. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e themeluar dhe drejtuar prej tij,LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në banesën e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi së bashku me familjen e tij në arrest shtëpie, por në asnjë çast nuk e gjunjëzoi dot presidentin-simbol.Pas më shumë se një muaj, falë presionit ndërkombëtar Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999. Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë kur mendimit dhe aksionit politik të presidentit Rugova iu shtua si uragan lufta e armatosur e UÇK-së e drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm Adem Jashari, drejtuesi politik Hashim Thaçi dhe luftëtarët e lirisë që me ndihmën thelbësore dhe përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, i sollën lirinë Kosovës. Për këtë Liri, ne shqiptarët u jemi përjetësisht si komb mirënjohës dhe borxhlinj Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbështetura nga ndërkombëtarët në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është nderuar si në gjallje, ashtu edhe pas vdekjes me çmime të shumta nga vende, universitete, akademi ,institucione e personalitetet më të larta politikenë mbarë botën.

I quajtur “babai i pavarësisë së Kosovës”,

“Gandi shqiptar”,rilindasi i fundit,Rugova ndërroi jetë në janar 2006 kur ishte në mandatin e tij të dytë si president. Në këtë kohë, ai po finalizonte mendimin dhe veprimin e përhershëm të tij politik në negociatat e drejtuara nga OKB-ja me Serbinë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, që çoi në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008, me mbështetjen e plotë të ShBA-së.

Dr. Rugova ishte politikan vizionar. Trinomi i tij: Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën mbështetej në tre parime dhe synime:

1. Do të bëjmë pajtimin e brendshëm (duke njohur mëritë dhe ndasitë shqiptare),

2. Në Ballkan popujt janë të njëjtë (në numër), (me këtë theksonte barazpeshën në rajon- serbët në numër të përafërt me shqiptarët),

3. Kosova e integruar në BE e NATO, me miqësi të përhershme me SHBA, (duke theksuar këtë vizion si domosdoshmëri dhe program politik të Kosovës).

Prof.Dr.Ibrahim Berisha, politologu, sociologu, kulturologu i shquar, bashkëpuntor prej vitesh I Presidentit Rugova qysh nga themelimi I LDK-së në 1989 e në çdo pozicion e aksion politik deri në ditët e fundit të Presidentit Rugova, në Konferencën Shkencore Jubilare “ Dr.Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë”, mbajtur në Tiranë më 30 nëntor 2024,organizuar dhe drejtuar suksesshëm nga Prof.Dr.Enver Bytyci u shpreh :“Diskursi politik i Ibrahim Rugovës shquhej për tonin e tij, vizionin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjen për të ndërtuar një konsensus kombëtar.Ai përdorte një gjuhë diplomatike dhe bashkuese, duke apeluar për unitet kombëtar dhe duke shmangur retorikën polarizuese. Rugova theksonte rëndësinë e dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke i vendosur interesat kombëtare mbi ato partiake. Diskursi i tij politik ishte i rrënjosur në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, duke e portretizuar shiptarët si një komb dhe Kosovën si një shtet të denjë për Pavarësi”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij ne Konferencën Shkencore Jubilare “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë” u shpreh se : “nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.Dr.Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij dhe se ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan.Rugova misionar ishte Rugova I pathyeshëm”.

Prof.Dr.Sali Berisha theksoi ne fjalen e tij se:”Ibrahim Rugova ishte ndërtuesi i pavarësisë së Kosovës, ishte ideatori i saj. ai ishte faktori kryesor i garancive për një Kosovë demokratike”.

Dr. Ibrahim Rugova ishte një njeri që i bashkoi shqiptarët e Kosovës rreth idesë së Lirisë dhe Pavarësisë dhe krijoi ura të forta miqësie me shtetet europiane dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç e cilëson ish- presidenti i Kosovës Prof.Dr. Fatmir Sejdiu: “Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, dr. Ibrahim Rugova ka lënë pas një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.”

Për dr. Ibrahim Rugovën janë shprehur me respekt të veçantë të gjithë presidentët e mëvonshën të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar si: “Burrështetasin e parë shqiptar dhe presidentin Historik të Kosovës!”

Presidenti Ibrahim Rugova ishte profet i kombit shqiptar, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, kolosi dhe atdhetari më i devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Siç e thekson studiuesi i njohur, akademik Sabri Hamiti në “Memento për Rugovën”, “Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti Flamurin. Edhe më thellë me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. E së fundmi, me Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar) që bashkonte predikimin e mirësisë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.”

Rugova e donte Kosovën. E kishte në shpirt, në zemër, në ëndrrat, në lutjet e tij.

Dhe se fundi po ricitoj një vlerësim të thënë në promovimin e veprës së plotë të Presidentit Rugova, në cilësinë e Ministrit të Kulturës në qeverinë Betishanë vitin 2005: “Pas Skënderbeut në çetën e profetëve të kombit,Dr.Ibrahim Rugova dhe Ismail Qemal Vlora zënë të parin vend”, si arkitekt të dy shteteve të pavarura shqiptare në Ballkan ,të lidhura shpirtërisht dhe kombëtarisht nën idealin më të lartë të kombit shqiptar!

Në mbyllje të këtij shkrimi modest po përcjell lutjen e tij për Kosovën, në 12 qershor 1999:

“Të lutemi o Zot

Për lirinë që na fale

Të lutemi, o Zot

Për kthimin tonë

Në Kosovën tonë

Në tokën tonë

Të falemi ty

Për këtë mrekulli

O Zot!”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular