BallinaEkonomiPropozimi i Leskajt/AMENDAMENT NR. 1 MBI PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2025”

Propozimi i Leskajt/AMENDAMENT NR. 1 MBI PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2025”

spot_img

mbështetje të nenit 75, pika 4 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Z. Bujar Leskaj propozon amendimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”, si më poshtë:

Neni 10, pika 5

ISHTE: “Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë 2025, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e kufirit të huamarrjes neto nga burime të brendshme dhe pjesa tjetër përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale…”.

TË BËHET: “Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë 2025, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e kufirit të huamarrjes neto nga burime të brendshme dhe pjesa tjetër për financimin e skemës së dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë”.

Këto ndryshime të pasqyrohen, si dhe të kryhen azhornimet e nevojshme në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset e ligjit.

AMENDAMENT NR. 2

MBI RELACIONIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2025”

Në mbështetje të nenit 75, pika 4 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Z. Bujar Leskaj propozon,

1. Sa i përket relacionit mbi projektbuxhetin:

Pika 2.2 “Shpenzimet publike”, fq. 16

ISHTE: “Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.4 miliardë lekë ose 0.05% e PBB”.

TË BËHET: “Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 5.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB”.

2. Sa i përket tabelës nr. 4 “Treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2022 – 2027”:

Në pikën I.7, zëri “Kompensim për ish të përndjekurit politikë”, kolonat “Buxheti 2024” dhe “Në % të PBB”, të ndryshohen nga vlerat “1,400” dhe “0.1%”, në vlerat “5,600” dhe “0.2%”.

Këto ndryshime të pasqyrohen, si dhe të kryhen azhornimet e nevojshme në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset e ligjit.

R E L A C I O N

PËR AMENDAMENTIN

MBI PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2025”

Amendamenti i propozuar synon angazhimin për rritjen e financimit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurvë politikë, me qëllim likuidimin përfundimtar në kohë sa më të arsyeshme të faturës së këtij “borxhi” të mbartur ndaj shtresës së të përndjekurve.

Ligji nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” përcaktonte afatin përfundimtar për likujdimin e plotë të faturës dhe përmbylljen e procesit prej 8 vitesh që nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda vitit 2015. Me ndryshimet e pësuara në vijim, ky afat u hoq dhe, në ditët e sotme, plot 17 vjet më vonë, jemi ende shumë larg likuidimit të kësaj fature. Aktualisht, për kategoritë parësore, procesi ka mbetur në këstin e 22-të të dëmshpërblimit, ndërsa për kategoritë joprioritare, sikurse janë trashëgimtarët, procesi është vetëm në këstin e tretë.

Edhe për këtë vit, pesha e fondeve të parashikuara për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë vijon të mbetet në raport të papërfillshëm krahasuar me PBB-në, ku fondi prej 1.4 miliardë lekë i parashikuar zë vetëm 0.05% të PBB-së. Me këto ritme, ky proces kërkon edhe 20 vjet për të përfunduar, thënë ndryshe 37 vjet nga miratimi i Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” apo 54 vjet nga fitimi i pafajësisë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në vitin 1991 për të përndjekurit politikë.

Me qëllim që ky detyrim të realizohet në një afat më të shkurtër dhe subjektet e prekura të dëmshpërblehen brenda një kohe më të përshtatshme, propozoj katërfishimin e fondeve të akorduara për financimin e kësaj skeme, nga 1.4 miliardë lekë (0.05% të PBB-së) në 5.6 miliardë lekë (që përkon me rreth 0.2% të PBB-së), çka do ta shkurtonte kohën e likujdimit total të këtij borxhi.

Detyrimi për kompensimin e ish të përndjekurve politikë përfaqëson një borxh publik, njëjtë si detyrimet e prapambetura, koncesionet, vendimet e arbitrazhit, dhe vijon të mos prioritizohet, pasi nuk pasqyrohet në llogaritjet zyrtare, aq më tepër pa marrë parasysh indeksimin e këtij detyrimi me inflacionin, me qëllim ruajtjen e vlerës reale të kompesimit.

Në kushtet kur ky proces rezulton i tejzgjatur ndër vite, sot është e nevojshme ta shohim me prioritet zgjidhjen dhe përfundimin e tij, duke vlerësuar rishikimin e alokimit të fondeve, sipas propozimit të mësipërm.

Bujar LESKAJ

DEPUTET I QARKUT VLORË

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular