Dr. Hajri Mandri
Pedagog, Albanian University, Tiranë
Preç Zogaj, një personalitet i letrave shqipe me kontribute në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore kulturore dhe politike të Shqipërisë, sot e kemi të ftuar në audicionin e organizuar nga Albanian University, si poet me përmbledhjen voluminoze poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.
Veç poezive, Preç Zogaj ka botuar tre vëllime me tregime, tri novela, gjashtë romane dhe 9 libra publicistikë ku pasqyron përmes një analize të thelluar, dritë-hijet e politikes shqiptare. Mjaft libra poetikë dhe romane, janë përkthyer në anglisht dhe italisht nga ente botuese prestigjioze të vendeve perëndimore. Preç Zogaj ka kontribute në emancipimin politik e kulturor të shoqërisë shqiptare duke dhënë ide të çmuara dhe me vlerë si analist dhe filozof paraprinjës. Ndër themeluesit dhe redaktori i gazetës Rilindja Demokratike, më vonë është zgjedhur tre herë deputet i Kuvendit të Shqipërsë dhe ka mbajtur poste të rëndësishme si Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, (1991) Ministër Shteti 1998, dhe më vonë Këshilltar në Presidencë.
Përmbledhja poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” që vjen si shumatore gjysëm shekullore e vlerave më të mira estetike të poezise së Preç Zogajt, e vendos autorin përfundimisht në altarin e mjeshtrave të poezisë shqipe për nga tematika, stili krijues, koherenca, qasja individuale në përpunimin poetik të stimujve mjedisorë, kryesisht atyre socialë. Mesazhet e vlefshme që vijnë si urtësi nga e kaluara, nëpërmjet laboratorit poetik të Zogajt na japin estetikisht kënaqësinë e letërsisë si e tillë, si mision human-artistik me funksion ripërtëritje shpirtërore të shoqërisë.
Temat e autorit marrin shkas jo thjeshtë nga qasja spontane emocionale por nga interpretime me vlerë filozofike mbikohore. Ashtu si homeri krijoi helenën, Preçi poetizoi shembëlltyrën e gruas, ashtu si Dante poetizoi parajsën, Preçi poetizon shembëlltyrën e paqës sociale. Në themel të poezisë së tij është humaniteti shoqëror.
Lënda e librit vjen si përmbledhje e distiluar e vëllimeve poetike të botuar ndër vite si: “ E pa kryer”, “A thua do të vish duke qeshur”, “Qielli i gjithkujt”, “Këmbësor në qiell”, “Kalimi”, “ Pas erës së re”, Gjallë unë pashë, Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, “Fundi, Një fëmijëri tjetër”, Ushtrimet e melankolisë”, Një e tretë dashuria”.
Për nga stili, fryma, qasja poetike, moderacioni, konceptet filozofike dhe mesazhet që përcjell, struktura e vargut, ndjenjat e pastra që vijnë poetikisht si porosi morale, e bëjnë autorin një poet origjinal të letërsisë shqipe. Kjo është arsyeja e ftesës sonë, për të qënë i pranishëm në këtë audiencë, dhe e falenderojmë për këtë angazhim.
Romantika rinore e botimeve poetike, ia lë vendin frazës me peshë, koncize, që përcjell mençuri në plan etik e filozofik. Megjithatë, e kaluara, fëmijëria e tij mbetet lëndina e preferuar e kërkimit poetik.
Ajo është muzë, është stimul i brendshëm që duke e shpërfaqur me detaje poetike, që rrëzëllejnë si xixëllonjat mbrëmjeve në fusha, magnetizon fushën estetike duke krijuar shanse për emocion.
Shembëlltyra e nënës, portreti i saj shumëplanësh, hapësirat e saj shpirtërore, fijet e dukshme dhe të padukshme të dashurisë së saj për fëmijët dhe anasjelltas, mbetet një referencë me ndikim në letërsinë shqipe që duke e trajtuar me mjeshtëri dhe ndjenjë, sa që duke e iu kthyer disa herë, autori e zhvillon në proporcione hyjnore. Kjo korrelatë e mrekullueshme mbikohore dhe e përjetshme nënë – fëmijë, për autorin mbetet vlera universale që jetëson njerëzit në tokë.
Preçi është poet meritor ndër poetët shqiptar që i thërret me aq elegancë paqes sociale, humanizmit, gjërave të përditshmërisë sonë, duke na kujtuar bukuritë e vogla që qëndisin vellon e gëzimit njerëzor ndër marrëdhëniet tona.
Shembëlltyra e dashurisë e gdhendur me pasion përgjatë veprës poetike të Zogajt meriton studim të veçantë, jo vetëm si poezi të realizuara estetikisht, por që japin në esencë motivin e gëzimit njerëzor, ardhmërinë, stisfaksionin moral dhe psikomental, si lëndë virtuale që lumturon dhe modifikon sjelljet tona pozitive dhe humane. Në një stil të ri, modern, motivi i dashurisë tek Zogaj bëhet predominues, pasi ajo është kredoja e poetit është mishërimi dhe natyralizimi i tij, jeta e tij, formimi i tij, përkushtimi i tij. E nëse ka në të vërtetë një ambasador të paqes njerëzore, i tolerancës dhe mirëkuptimit mbi botën ai do të ish, ky shkrimtar, politikan moderator, poet modern, eseist elitar e analist i urtë: Preç Zogaj.