Bujqësia shqiptare pritet që t’i nënshtrohet ndryshimeve të forta vitet e ardhshme pasi parashikohet që të prezantohen një seri programesh të reja financimi.
E ftuar në emisionin DATAROOM të gazetarit Kreshnik KUÇAJ në SCAN TV, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj shpalosi risitë që sjell buxheti i vitit 2025 për sektorin.
Pjesa më e madhe e fondeve të vitit të ardhshëm do të shkojë për subvencionimin e fermerëve dhe blegtorëve dhe për skemën e investimeve.
Ndërkohë, prioritete janë infrastruktura e ujitjes dhe kullimit si dhe siguria ushqimore të cilat gjithashtu janë zëra të rëndësishëm buxhetorë të vitit të ardhshëm. Në total, buxheti i vitit të ardhshëm për bujqësisë arrin në 14.7 miliardë lekë.
Vec skemës së investimeve dhe skemës së subvencioneve që kanë pësuar rritje të ndjeshme në buxhetin e vitit të ardhshëm, ministrja shpalosi edhe një serë projektesh të reja që do të ndërmerren me qëllim që arritjen e objektivit për 1 miliardë euro eksporte bujqësore deri në vitin 2030.
“Skemat e mbështetjes së fermerëve nëpërmjet subvencioneve janë ato që prekin më shumë përfitues dhe zënë gati 40 % të peshës në buxhetin e përgjithshëm dhe kjo me faktikun. Sepse është e vërtetë që buxheti fillestar në fillim të vitit që jemi duke mbyllur ka qenë diku te 34 milionë euro por jemi besimplotë që deri në fund të vitit skema totale e mbështetjes për investime që shkon në 51 milionë euro, do të plotësohet me aktin normativ.
Në vitin që vjen janë parashikuar 44 miionë euro. Kemi një rritje që tek fillestari për të shkuar te një faktik, diku të 55 milionë euro. Skema e mbështetjes së subvencioneve të drejtëpërdrejta që u shkojnë blegtorëve dhe fermerëve dhe skema e investimeve që lançuam në shtator me akt normativ, është skemë investimi.
Ne në vitet që lamë pas, të paktën në 5 vjeçarin e fundit, skemën e investimeve e kemi pasur përmes IPARDIT. Këtë vit dhe tjetrin po e mbështesim më fonde buxhetore. Skema e subvencioneve dhe skema e investimeve janë të dyja zëri kryesor që impakton dhe zhvillimin ekonomik dhe familjet, dhe kostot në njësitë e angazhuara në bujqësi” deklaroi Denaj.
Një projekt tjetër i rëndësishëm dhe i ri që shkon në drejtim të mbështetjes së mëtejshme direkte për fermerët, që ministrja bëri të ditur, është edhe shpallja e Garancisë Sovrane.
“Vitin tjetër do shpallim edhe një instrument tjetër shumë të rëndësishëm. Kemi folur me kryeministrin, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Sipërmarrjes, për Garancinë Sovrane.
Dhe besojmë se Garancia Sovrane e parashikuar për 4 vitet e ardhshme është një mbështetje për ta lehtësuar. Bëhet fjalë për një vlerë 50 milionë euro.
Është duke u diskutuar me bankat dhe kemi dhe një tryezë të fundit që besoj do ta bëjmë në janar. Diskutimi mbetet që Garancia Sovrane t’i lehtësojë bankat të japin kredi sepse sot ato janë rezistente ndaj dhënies së kredive” deklaroi më tej Denaj.
Denaj bëri të ditur se Shqipëria po bëhet gati për të përfituar edhe nga program IPARD 3 vitin tjetër. Ndërkohë, ajo bëri të ditur gjithashtu se po punohet për një model “Contract Farming” që bashkon të gjithë aktorët në një kontratë e cila më pas do të mund të përdoret për subvencione, invetsime dhe akses në financë.