Nga Bujar Leskaj
Më 8 dhjetor 2024 ,zonja fisnike , shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj feston 80 vjetorin e lindjes.
Zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj ka pasur një jetë jashtëzakonisht të vështirë. E persekutuar nga regjimi komunist ajo u arsimua me shumë vështirësi. Diplomohet pas shumë peripecish për Histori- Gjeografi, në vitin 1975, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë.
Me ardhjen e Demokracisë në vitin 1991, zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj do të ushtrojë mësuesinë, ndërkohë që të gjitha poezitë, prozat, krijimet e saj të ndrydhura për vite me radhë do të shfaqen publikisht dhe në moshën 52 vjeçare, do të botojë librin e saj të parë.
ZhVilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë themeluese dhe kryetare e parë eLDG- dega Vlorë, 1991- 1998, anëtare e kryesisë së PD Vlorë ,si dhe anëtare e Kryesisë së LDG të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë e mbetet një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë dhe e emancipimit, të drejtave të grave, ndërtimit të një shoqërie të mundësive të barabarta, por veçanërisht personalitet potent i letërsisë e artit.
Në nëntor 2005 , në Panairin e Librit kam vlerësuar: “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, qyteti ynë ka bijën e vet, Vilhelmen, të cilën pa druajtje e quaj “Musine Kokalari e Vlorës”.”
Me veprën e vet letrare Vilhelme Vranari Haxhiraj ( pseudonimi letrar Vivra)solli një origjinalitet të stilit, frazës dhe gjuhës, duke shndërruar në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist.
Krijimtaria e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.
Prej vitit 1996 dhe në vazhdim merret me letërsi artistike, publicistikë, ese dhe studime në fushën e historisë dhe të filozofisë.
Suksesi imponues i Vilhelmes mbështet vetëm në talentin e dijen e saj dhe mbështetjen përkushtuese të bashkëshortit , artistit në zemër e shpirt , demokratit , themeluesit të PD në vitin 1990, qëndrestar i paepur e rithemelues i Partisë Demokratike në 1997 e 2021, kontributor i spikatur i fitores në 1992 e 2005,zotërisë së nderuar Fitim Haxhiraj .
Diapazoni krijues i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është tepër i gjerë. Tërë krijimtaria e saj përbëhet nga një korpus prej gati 63 veprash të të gjitha gjinive letrare: poezi, prozë, letërsi për fëmijë, studime e libra eseistikë përfshirë edhe publicistikën.
E vlerësuar me mbi 33 çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, krijimtaria e saj është përfshirë në 18 antologji në disa shtete. Edhe pse është në moshën 80 vjeç, e pranon sfidën me krijimtarinë e saj autentike letrare e filozofike.
Gjej rastin ta ricitoj, sikundër thotë për të intelektuali i mirënjohur vlonjat Prof.Dr. Eshref Ymeri: “Krijimtaria e saj është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e haresë dhe tatëpjetat e dëshpërimit.”
Vilhelma është një shkrimtare me produktivitet të lartë dhe cilësi artistike, që nuk e lëshon në asnjë rrethanë penën nga dora dhe që në korpusin e gjerë letrar dhe studimor të saj gjen kohë të shkruajë edhe studime për kolegët e saj, apo studime historike politike sikurse libri “ Lidhja Demokrstike e Gruas -dega Vlorë “.
Popullariteti i saj dhe vlerësimi për të nuk është i shtrirë vetëm në qytetin e saj të lindjes Vlorë,por në shumicën e qyteteve të mëdha të Shqipërisë, sikurse ka miq dhe i është promovuar vepra letrare në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e disa shtete të tjera, ku ka marrë dhe çmime ndërkombëtare.
E vlerësuar nga Presidenti i Republikës në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, viti 2012 me: Urdhërin “Mjeshtre e Madhe” dhe me “Medalje Ari”.
Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në New York, i dha titullin “Akademike”, më 30 tetor 2018, me të drejta të plota.
“Ikonë e Letërsisë Botërore” e shpalli Akademia e Shkencave, Letersisë dhe Arteve Indiane, më 25 maj 2020.
“Nderi i Kombit” i jep Unioni i Shqiptarëve të Bukureshtit, më 2023.
Fiton “Kurorën e Artë të Çmimit Ndërkombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në Torino, Itali, 18 prill 2009.
Fiton “Pena e Kristaltë”, në Suedi, mars 2014.
E vetmja shqiptare, mes 205 fituesve të çmimit të parë, nga e gjithë bota, është fituar në antologjinë poetike, “Premio Internazionale di Poesia ( 2010-2012), Firence-Itali.
Në këtë ditëlindje të 80-të zonjës fisnike uroj jetë të gjatë, krijimtari të pasur e të begatë, krijimtari, e cila do të ngelet në panteonin e letërsisë e të mendimit studiues e filozofik shqiptar!
Urimin për këtë 80 vjetor, Mjeshtres së Madhe Vilhelme Vranari Haxhiraj po ja përcjell nga Washington DC, USA, dhe dëshirij të theksoj se në janar së bashku me dashamirës të artit e letërsisë së Vilhelmës, dhe qytetarë të tjerë vlonjatë e jo vetëm, do organizojmë një aktivitet, i cili do i kushtohet kolanës së plotë të veprave të shkrimtares së shquar vlonjate , bijës dinjitoze të Kaninës ,Vilhelme Vranari Haxhirajt.
Jetë të gjatë ! Kurdoherë me penë , shkrime , fjalë e vepra për kulturën kombëtare!