8 Dhjetori na del 8 Nëntori i Dytë/nga Haxhi Isufi

0
136

Nga Haxhi Isufi
Kurrë nuk do ta bëja këtë shkrim, por shkak u bë takimi i Doktor Berishës mbrëmë me një grup të rinjsh, që për nga mosha ishin sa nipat e mbesat e tij, me rastin e 8 Dhjetorit.

Ndër të tjera, mbrëmë Doktori tha se studentët e Dhjetorit ishin bij kuadrosh, drejtorësh e kryetarësh kooperativash të Partisë së Punës. Nuk kishte asnjë student me biografi të keqe, se ata nuk i qaste kush në shkollë. “Ishte moment shumë i vështirë,” – tha ai, – “se studentët do të dilnin kundër etërve të tyre, dhe kështu bënë…” Me një fjalë, u shemb komunizmi.

Në atë kohë, Doktori ishte Sekretar Partie dhe iu bashkua studentëve, bile doli në krye të tyre… Dhe atëherë i bie që me Partinë në ballë u krijua pluralizmi politik në Shqipëri. Ne, populli, me dhe pa Parti, i mbështetëm studentët. Gjithmonë në atë kohë: “Çfarë donte populli, e bënte Partia; dhe çfarë thoshte Partia, e bënte populli.” Ishte koha e unitetit të çeliktë Parti-Popull. Më 8 Nëntor në Tiranë 1941 u krijua Partia e Punës dhe më 8 Dhjetor 1990 u hap rrugë për krijimin e rreth 5 Partive të Punës: Partia e Punës Demokratike, Partia e Punës Socialiste, Partia e Punës Republikane, Partia e Punës Socialdemokrate dhe një farë Partie Ekologjike e drejtuar nga i ndjeri Namik Vehbi Fadil Hoti, të cilit brenda vitit ia vodhën partinë, i futën dhe një dru të mirë, por “dru demokratik” për të thënë. E rrahën të shkretin Namik se ishte burrë plak dhe kishte qenë në burg. Nejse.

Në ato vite unë punoja te Hoteli Tiranë dhe takohesha gati për natë me Azem Hajdarin. Ishte djalë i shkathët dhe simpatik, kurajoz e trim. Një natë më tregoi se në familjen e tij kishte 17 komunistë. Unë i thashë se fatkeqësisht nuk kisha asnjë, por do të mbështesnim studentët për të shembur komunizmin. Brezi i studentëve të Azemit gati është zhdukur fare. Pothuajse nuk gjen asnjë te partia që krijuan. Dhe sot, pas 34 vitesh, i njëjti njeri, i njëjti ish-Sekretar Partie mbledh një grup të rinjsh që janë në moshën e nipave dhe mbesave të tij dhe u thotë se do të përmbysim diktaturën.

Kam qenë dhe unë më parë si ata. Kam marrë pjesë në dhjetëra mitingje e protesta të Doktorit, derisa u bëra budalla fare pas luftës së tij. Dhe pas 34 vitesh lufte të përditshme kundër komunizmit dhe diktaturës, budallallëkut i erdhi fundi. Ti, Doktor, nuk hape një dosje, por mbylle dhjetëra dosje e i bëre me poste. Dhe ti sot u thua moshave sa nipat dhe mbesat e tua se do t’i udhëheqësh në shembjen e diktaturës. Ke mbetur ekzemplari nr. 1 i gjallë në Europën Lindore që vazhdon akoma luftën kundër diktaturës.

Imagjino që një i ri si ata ka 30 vjet që të shohin në TV, mëngjes, drekë, darkë, duke luftuar diktaturën. Ti je i vetmi që e zhduk diktaturën, Doktor, dhe këtë e bën pa protesta e pa mosbindje civile. Ik ti, se ke mbetur i vetmi në Europë. Ike ti nga jeta politike, Doktor, se po ike ti, komunizmi dhe diktatura përfundimisht bie në Shqipëri. Ik, merre me nipa e mbesa, shkruaj kujtime dhe gëzo pleqërinë. Lëre rininë në PD të vendosë vetë. Nëse nuk ikën, ne prapë do të shohim pas dhjetë vitesh me një grup 15-vjeçarësh që do t’u flasësh për komunizëm dhe diktaturë…