Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e mandatit të deputetes së PS Olta Xhaçkës.
Spiropali, e cila ishte dhe dërguesja e kërkesës për shqyrtim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias, shprehet se vendimi i jep të drejtë mazhorancës dhe sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit.
Ajo shton se po ashtu sot përgjigje kanë marrë dhe të gjitha akuzat e hedhura ndaj mazhorancës në lidhje me qëndrimin e tyre për këtë çështje.
“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!
Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen”, deklaron ajo.