Gënjeu për marrëdhëniet e biznesit të Hunter Bidenit, ish-informatori i FBI-së pranon fajësinë! Ja sa vite burg mund të dënohet

0
87

Një ish-informator i FBI-së, që u akuzua nga Prokurori i Posaçëm David Weiss se pati gënjyer për Presidentin Joe Biden dhe marrëdhëniet e aluduara të biznesit të djalit të tij Hunter me një kompani energjetike ukrainase, do të pranojë fajësinë për një nga akuzat për krijimin e një deponimi fals në një hetim federal, thuhet në dokumentet e dorëzuar në gjykatë.

Pranimi i fajësisë do të shmangë zhvillimin e gjyqit për Alexander Smirnovin, i cili u arrestua më herët këtë vit.

Pretendimet e zotit Smirnov për rolin e Hunter Biden-it në kompaninë “Burisma Holdings” ishin vendosur prej vitesh në epiqendër të vëmendjes së Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe aleatëve të tij.

Zoti Smirnov akuzohej se bëri deklarata të rreme për FBI-në, gjatë rrëfimit të dy takimeve nga vitet 2015-2016, se drejtues biznesi të lidhur me kompaninë “Burisma” i patën thënë se e punësuan Hunter Biden-in “për të na mbrojtur, nëpërmjet babait të tij, nga të gjitha llojet e problemeve”.

Ai gjithashtu akuzohet për pretendimin e rremë se drejtuesit e kompanisë “Burisma” i paguan secilit nga 5 milionë dollarë, Joe Biden-it dhe Hunter Biden-it, gjatë presidencës Biden.

Këto akuza ishin ndër pretendimet që ndihmuan për ndërtimin e dosjes për përpjekjet e pasuksesshme të Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane, për një proces hetimor me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Biden.

Sipas kushteve të marrëveshjes së arritur për pranimin e fajësisë, zoti Smirnov do të pranojë fajësinë edhe për tre akuza për shmangie të taksave në vitet 2020-2022.

Gjatë kësaj periudhe, zoti Smirnov nuk raportoi të ardhura në shumën prej 2.1 milionë dollarësh. Ai mund të dënohet nga 4-6 vite burg, sipas legjislacionit amerikan./VOA