Një video që po bën xhiron në internet ka shqetësuar jo pak mbarë opinionin publik, pasi shfaqet një grua e pastrehë dhe hidhen dyshimet se është legjenda e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në SHBA.
Videoja është transmetuar Abc7, një nga televizionet më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në video shfaqet një grua që identifikohet si “Simaku Nohfe” duke marrë ndihma nga një grup fëmijësh, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për Parashqevi Simakun.
Shumë përdorues të rrjeteve sociale po thonë se gruaja është vetë këngëtarja legjendare, edhe pse ajo ka qëndruar larg syrit të publikut prej dekadash.
Parashqevi Simaku, këngëtarja e famshme nga Kavaja që elektrizoi Shqipërinë gjatë viteve ’80, është një emër që mbetet i paharruar për artdashësit. Megjithatë, ajo emigroi jashtë vendit dhe jetoi larg syrit të publikut.
Ndërsa gazetari Blendi Fevziu, i cili ishte nga ata që shpërndau videon duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, thotë se tashmë e ka konfirmuar që bëhet fjalë për këngëtaren shqiptare. Ai thotë se është në kontakt me avokatë dhe biznesmenë në SHBA për ta identifikuar dhe ndihmuar dhe shprehet se ajo largohet sa herë i afrohen persona të cilët i flasin në gjuhën shqipe.