Nga 5.5 deri 12 milionë lekë kredi të butë, ja kriteret në përzgjedhje! Rritet vlera dhe numri i përfituesve

0
13

Më shumë përfitues, të cilët do të kenë mundësi të marrin më tepër të ardhura në formë kredie për blerjen e një banese me interes jo më shumë se tre për qind. Këto janë risitë e këtij viti të programit të subvencionimit të kredive të buta, një program i qeverisë që do të zbatohet nga Bashkia e Tiranës.

Nënkryetarja e bashkisë, Keti Luarasi, ka shpjeguar risitë e këtij viti bashkë me procedurën dhe kriteret shkualifikuese në një intervistë në “News 24”.

Kriteri i të mospasurit një banesë në pronësi është i pari, ndjekur nga kriteri moshor (mosha e përbashkët e çiftit nuk preferohet të kalojë 80 vjeç), ndërkohë që masa totale e kredisë e rritur ndjeshëm do të jetë minimalisht 5.5 milionë lekë për një garsoniere dhe 12.4 milionë lekë për një banesë 3+1.

RISITE E PROGRAMIT

Duke folur për programin e subvencionimit të kredive për shtëpi, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, tha se ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët, teksa shtoi më tej se risia këtë vit është se është rritur vlera maksimale e kredimarrrjes, ndërsa shpjegoi edhe kushtet që duhet të plotësojë një aplikant. Vlera e kredisë së butë që mund të aplikohet është 5.5 mln lekë të reja, ndërsa aplikantët duhet të plotësojnë formularin e parë dhe më pas ata duhet të plotësojnë dokumentacionin për të vijuar me fazat e tjera të procesit.

Nënkryetarja e bashkisë tha se në rastet e çifteve të reja kemi kriterin e moshës, që nuk duhet të jetë mbi 40 vjeç. Në vijim ajo sqaroi se për kredi të butë mund të aplikojnë prindërit e vetëm me fëmijë, nënat kryefamiljare dhe këtu nuk është kriteri i moshës. Ndërkohë një tjetër kategori që mund të aplikojë janë edhe familjet që mund të kenë një banesë, por ajo nuk plotëson hapësirat.

Në këtë kuadër, nënkryetarja e bashkisë solli si shembull një familje me 5 anëtarë që jeton në një garsonere. Po sa është norma e interesit për kreditë e buta? Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se norma e interesit për ata që do të përfitojnë do të jetë gjatë gjithë periudhës së kredisë, 3%.

“Janë kredi me normë interesi fikse. Nëse do të ketë një ndryshim të normës së interesit mbi 3% e dakordësuar, diferencën e paguan shteti”, – tha Luarasi.

APLIKIMI

Individi ose familja paraqet kërkesën për të përfituar nga ky program përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social” sipas formatit të ngarkuar në sistem Faza 1. Aplikimet e dërguara nëpërmjet rrugëve të tjera me postë, email etj., do të refuzohen. Faza e dytë me dokumentacionin përkatës sipas aneksit nr. 3 do të dorëzohet pranë zyrave të Bashkisë Tiranë fizikisht, ose nëpërmjet postës në adresën zyrtare të Bashkisë Tiranë. Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi. Programi synon të përfshijë dhe mbështesë të gjithë individët dhe familjet që kanë vendbanim në territorin e Bashkisë Tiranë. Përparësi në përzgjedhje do të kenë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 40 vjeç; individë/ familje të minoritetit rom dhe egjiptian dhe gra kryefamiljare/gra të dhunuara. Sidoqoftë, përparësitë e përcaktuara më sipër nuk përjashtojnë individë a familje që nuk bëjnë pjesë në këto familje. Panorama