Doktrina juridike ‘Respondeat superior’, procedurë e munguar për hetimin e Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj

0
63

Nga Prof. Asoc. Dr. Admir Sinamati

Në kuadrin e luftës ndaj korrupsionit në nivele të larta në vendin tonë, prej disa viteve ky mision dhe detyrë i është besuar SPAK-ut (Struktura e Posaҫme Anti Korrupsion).

Prokurorë nga kjo strukturë e posaçme hetimore, përveҁ të tjerave së fundmi kanë bërë hetime dhe po ndjekin vazhdën e hetimeve penale dhe falë tyre po dënohen me burgime mjaft prej zyrtarëve të lartë të qeverisë qendrore dhe lokale konkretisht zv.kryeministër, ministra, zv.ministra, kryebashkiakë, drejtorët kryesorë të Bashkisë së Tiranës

Në këtë situatë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, për të mbrojur veten, për shkeljet e rënda të tyre dhe vartësve kanë deklaruar se “përgjegjësia është individuale” dhe kushdo që ka kryer vepra të tilla penale kryesisht të karakterit korruptiv, duhet të ndiqet nga drejtësia vetëm personi i drejtëpërdrejtë i kësaj shkeljeje ligjore.

A janë bindëse nga pikëpamja shkencore, juridike këto justifikime të tyre?

Le t’i analizojmë ato në këndvështrimin e doktrinës juridike “Respondeat Superior”, që deri tani nuk është përmendur nga ndonjë jurist në mediat e shkruara dhe ato të debateve të shumta që zhvillohen për to në vendin tonë.

Prej kohësh më ka ngacmuar ky fakt pasi kjo doktrinë e njohur, është përdorur shpesh nga ana jonë në zgjdhjen juridike të ҫështjeve mjekoligjore të ndjekjeve penale për pakujdesitë dhe neglizhencat mjekësore.

Sipas saj, mjeku drejtues, p.sh. ai i ekipit të rojes kirurgjikale të një spitali, do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të pakujdesshëm të mjekëve që ai ka në varësi, pavarësisht se edhe ata do të kenë përgjegjësinë e tyre. Në praktikën tonë ne jemi ndeshur me shumë raste të tilla. Kështu, pas një operacioni të pakujdesshëm që u pasua me vdekjen e pacientit, u dënua jo vetëm mjeku kirurg që e bëri ndërhyrjen kirurgjikale por edhe shefi i tij, që duhej ta kontrollonte atë. Po kështu, në një rast pakujdesie të një infermjereje që i dha një pacienti një medikament të gabuar, që solli vdekjen e tij, përgjegjësinë kryesore e mori kryeinfermjerja dhe mjeku që i kishte në varësi ato.

Përveҫ Mjekësisë Ligjore, doktrina ”respondeat superior” ndeshet në fusha të tjera të juridike të zgjidhjes të ҫështjeve kriminale.

Ne jemi dëshmitarë të informacioneve që marrim edhe nga media të dënimeve më të rënda për kreun e një bande kriminale pavarsisht se veprat e drejtpërdrejta në dëm të viktimave nuk i ka realizuar me duart e tij. Po ashtu ka raste përfshirë edhe ato që lidhen me politikën dhe qeverisjen që  janë ndëshkuar në bazë të këtij parimi kokëfortë.

Kjo doktrinë, që në thelb ka kuptimin “that the master must answer” (eprori duhet të përgjigjet), tregon se nga pikëpamja ligjore, eprorët kanë përgjegjësi për veprimet kriminale apo neglizhente të vartësve të tyre, që kryhen në kuadër të të ushtrimit të detyrave që ata kanë.

Në të vërtetë kjo doktrinë i korrespondon një termi tjetër juridk “vicarious liability”, që në latinisht fjala “vicarious” përkthehet “substitute”(zëvendësues). Pra sipas saj, një person do të jetë përgjegjës për veprimet kriminale të një tjetri që varet dhe kontrollohet prej tij, ose e shprehur ndryshe: ”eprori (personi zëvendësues) do të mbajë përgjegjësinë për një shkelje të vartësit të tij” .

Në të vërtetë, këto dy koncepte juridike (doktrina), të para nga dy këndvështrime të ndryshme, kanë një synim të përbashkët; sipas tyre, për një shkelje të rëndë ligjore penale, korruptive etj.  do të ketë përgjegjësi jo vetëm nëpunësi që e kryen atë,  por dhe eprori kryesor i tij.

Në këto raste, shkelja e tyre e pasuar me dëmet që ajo ka shkaktuar, duhet të ketë lidhje të ngushtë me ushtrimin e funksioneve të tyre.

Përdorimi i kësaj doktrine juridike nga organet e drejtësisë ka si qëllim kryesor që personat eprorë të kenë sa më shumë kujdes, në kontrollin, monitorimin e vartësve të tyre për të parandaluar këto shkelje të rënda ligjore.

Le të kthehemi tani në zbatimin e kësaj doktrine në ҫështjet që i përkasin qeverisjes në përgjithësi dhe konkretisht asaj të vendit tonë.

Në bazë të kësaj doktrine, sipas literaturës bashkëkohore, organi epror mund të jetë edhe shteti apo qeveria. Qeveria pavarësisht se është organ kolegjial formatohet , drejtohet dhe monitorohet nga kryeministri i cili merr meritat për mbarëvajtjen e punës, por, do duhet të jetë përgjegjës për shkeljet ligjore të anëtarëve të saj, fenomen mjaft kompleks, sidomos për vendet në zhvillim.

Një kryeministër (Prime Minister) ka një përgjegjësi morale për të gjitha veprimet e ministrave të tij, pasi në këtë mënyrë është përcaktuar si shërbyesi i parë (First servant) i Këshillit të Ministrave.

Kështu p.sh. në Indi, në kohën e kryeministrit Manmohan Singh (2004 -2014), kryeministri i katërt më jetëgjatë i këtij vendi të madh, në periudhën e fundit të ushtrimit të detyrës së tij, ai u ndëshkua, sipas doktrinës “respondeat superior”, sepse nuk ndërmori asnjë ndjekje juridike ndaj korrupsionit të shfrenuar të vartësve të tij. Për shkak të kësaj, ai u tërhoq ng drejtimi i mëtejshëm i qeverisë dhe u gjykua nga drejtësia.

Në vendin tonë, pas krijmit të SPAK-ut, një institucion i ri juridik, shumë i rëndësishëm për nga misioni dhe funksioni legal për të cilin është ngritur po kryhet investigimi, hetimi, ndjekja dhe burgimet për korrupsion  në nivelet  më të larta të pushtetit si dhe të ish-qeverisjes në  Shqipëri.

Por, në veprimtarinë e prokurorisë speciale bie në sy një ndjekje penale e diferencuar.

Ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, pavarësisht se ka qenë kryeministër rreth 12 vite më parë, prej 4 vitesh po bëhen hetime penale të shoqëruara me kushte shtrënguese heqje lirie me arrest shtëpie (rreth 330 ditë) pa fakte dhe prova.

Ndërsa për korrupsionin e pushtetit të sotëm tej mase të shprehur, SPAK-u nuk ka bërë as edhe një hap konkret apo akuzë të vetme ndaj kryeministrit apo kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por janë mjaftuar vetëm me hapjen e ҫështjeve penale, të pasuara me ndalime, dënime dhe burgosje të mjaft vartësve të tyre: një ish-zv.kryeministër, disa ish-ministra dhe ish zv.ministra, drejtorët më të rëndësishëm të bashkisë së kryeqytetit.

Ky diferencim, kuptohet haptazi që kryhet për arsye politke me qëllim që opozita të jetë sa më e dobët në zgjedhjet e reja parlamentare të afërta.

Për këtë arsye është krejt i justifikueshëm mosbesimi dhe   plotësisht e drejtë që opozita po e kritikon ashpër SPAK-un dhe e akuzon atë për këtë qëndrim diskriminues që po mban në dëm të saj.

Jo vetëm kaq, por kjo shkelje e rëndë, nga pikëpamja juridike, mund të shpjegohet edhe nga moszbatimi prej prokurorëve të SPAK i doktrinës “Respondeat Superior”.

Pa dyshim, që zbatimi i kësaj doktrine, do ta bënte SPAK-un më të besueshëm dhe të distancuar nga ndikimi politik, dhe si rezultat do iu kthente shqiptarëve besimin te forca reale e ligjit dhe drejtësisë. Nga ana tjetër, kjo do të ndikonte pozitivisht për krijimin e barazisë sa më të plotë, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë me të vërtetë të lira, të ndershme dhe të drejta.

Prof. Asoc. Dr. Admir Sinamati – Ekspert mjekoligjor, Pedagog i Mjekësisë Ligjore, Etikë Deontologjia Mjekësore – Fakulteti i Mjekësisë – Universiteti Mjekësor i Tiranës