Fushata zgjedhore dhe fokusi i debatit opozitar

0
34

NGA GENC POLLO 

Lëvizja studentore e qytetare në Tiranë para 34 vitesh hodhi një hap që çeli një epokë të re; ajo shënoi fillimin e fundit të regjimit komunist izolacionist dhe prologun e vendosjes të sistemit demokratik pro euro-perëndimor.

Fjalitë e mësipërme janë nga fjalimi im një vit më parë në ketë sallë, po në përvjetorin e themelimit të PD-së. Dhe të tilla fjalime përkujtimore kam pasur privilegjin të mbaj në shumicën e këtyre 34 viteve. Të kuptohemi, është e drejtë dhe e duhur që të përkujtohet një ngjarje kaq madhore e historike dhe të nderohen protagonistët e saj, sidomos ata që janë ndarë nga jeta. Por retrospektiva të bën të jesh kritik deri diku me optimizmin, apo edhe iluzionet e asaj kohe. Sepse demokracia e liria nuk është e thënë të ketë një zhvillim progresiv linear.

Ashtu siç ka edhe kombe europiane që fituan pavarësinë, por më vonë e humbën atë; fatmirësisht për t’a fituar sërish. Prandaj prirem të flas për aktualitetin më shumë se për kujtimet e dhjetorit 1990. Vjet thashë që protesta e opozitës në sallën plenare me karrige të përmbysura në dysheme dhe me flakadanë në havá ishte jo estetike, por ama e nevojshme për demokracinë. Sepse nuk kishte ndodhur në tridhjetë vjet që opozitës t’i mohoheshin kaq shumë drejta njëherësh, përfshi edhe pjesëmarrjen në reformën zgjedhore. Pak muaj më vonë mazhoranca u zmbraps edhe në tërësi shkeljet u korrigjuan. Gjithkush mund të konkludojë se kush lufton, edhe fiton. Pak javë pas festës vjet, regjimi e vuri kryetarin e opozitës në arrest shtëpie. Sot Sali Berisha, mbas një viti rezistence, është sërish i lirë. Por arsyeja pse ndodhi arresti, respektimi i Kushtetutës edhe kur gjykata e shkel atë, më ka interesuar. Duke hulumtuar kam gjetur një ngjashmëri të madhe me çështjen penale të Donald Trumpit. Këtij i kishin ndaluar të kritikonte prokuroret e gjyqtarët, edhe pse dukshëm të njëanshëm. Trump tha se prevalon Kushtetuta amerikane, amendamenti i parë i saj për lirinë e shprehjes. Dhe vazhdoi kritikat e u gjobit me mijëra dollarë.

Berisha refuzoi masat shtrënguese, sepse për to duhej autorizimi i Kuvendit. Kështu e thotë fjalë për fjalë Kushtetua. Dhe për këtë mori arrest shtëpie. Gjithkush e pagoi në mënyrën e tij mbrojtjen e Kushtetutës. Sepse Kushtetuta na mbron të gjithëve; po i ku filli diku, shthuret e tëra si çorape. Sot Partia Demokratike përgatitet për zgjedhje. Mbasi ka protestuar më shumë se kushdo tjetër kundër regjimit autoritar e kleptokratik; mbasi e ka denoncuar atë me fakte, dokumente e argumente më shumë se kushdo tjetër; mbasi i ka rezistuar më shumë se të tërë. Në distancë kilometrike nga media e lirë, shoqëria civile e pakapur dhe ndërkombëtaret parimorë. Por, mendoj se në fushatë zgjedhore, elektorati kërkon më shumë shpresë për të ardhmen, më shumë zgjidhje për problemet konkrete, më shumë dritë në fund të tunelit.

Dhe mund të jetë e drejtë në rrethanat tona që të kërkojmë masa sociale si psh., rritje pensionesh. Por, krijimi i pasurisë ka precedencë ndaj rishpërndarjes. Këtu qeveria “Rama”, shpesh në mënyrë të padukshme, ka mbytur me lloj-lloj rregulloresh të tepërta e abuzive e me lloj-lloj tarifash pa kuptim po me efekt zhvatës bizneset e vendit, sidomos ato të mesme. Dhe fokusi te këto probleme e të tjera të ngjashme me to lipset të jetë fokusi i debatit opozitar. Krahas një ekipi të ardhshëm kuvendor e qeveritar kompetent e të paqortueshëm, që ngjall besimin e publikut. Këto masa, lufta për fitore, dhe vetë fitorja do të ishin mënyra e duhur për të nderuar themelimin e PD-së 34 vjet më parë.