E përditshmja më e madhe franceze “L’equipe” i ka bërë një portret të gjatë sulmuesit shqiptar që po shkëlqen në kampionatin vendas me Lille. Dy të dërguarit e saj specialë gazetari François Verdenet dhe fotografi Franck Faugère kanë udhëttuar drejt Prishtinës për të ndjekur hartën e rrugës së Edon Zhgrovës nga një refugjat i lindur në Gjermani, tek futbollisti që nga mosha 2 deri në 15 vjeç u formua në Kosovën e pasluftës. Lapsi.al po e sjell në shqip këtë atrikull për një nga lojtarët shqiptarë më në formë të këtij momenti.
Nga të dërguarit specialë Teksti: François Verdenet, Fotot: Franck Faugère
PRISHTINË – Kur kjo anekdotë u arrin në vesh, Agimi dhe Artani nuk mund ta ndalin buzëqeshjen, kur u trgon historinë e mëposhtme. Ngaqë Edon Zhegrova i mërziste bashkëlojtarët e tij te Lille duke u folur vazhdimisht për Kosovën, atë vendosën ta gjobisnin atë me nga 5 euro çdo herë që ai përmendte emrin e vendit të tij
Ai supozohet të ketë humbur shumë para në dhomën e zhveshjes së LOSC-së (Lille-shënim i Lapsi.al) duke mos ndalur së bëri këtë. Aq krenar ndihet Edoni për origjinën e tij dardane sa arrin ta shesë Prishtinën si “Miami”. Agimi dhe Artani, të dy trajnerë të KF Flamurtarit, qeshin edhe më shumë me këtë krahasim, ndërsa ulen në tribunën e vjetër prej druri të stadiumit të klubit të tyre të përjetshëm. Lagjja me kazanët e mbeturinave që derdhen në trotuar, telat elektrikë që prekin asfaltin dhe fasadat e rrënuara nuk ka asnjë lidhje me Floridën. Në horizont, kodra e Taslixhës të kujton një prej favelave braziliane.
Vendi ende ruan shenjat e një konflikti që përfundoi një çerek shekulli më parë, por që vazhdon të shenjojë qytetin dhe mendjet e njerëzve. Pikërisht këtu u rrit që prej moshës 2 vjeçare, Edon Zhegrova, pranë prindërve të tij, Lulzim dhe Sanije, motrës Valza dhe vëllait të vogël Erblin, kur ata u kthyen nga Gjermania.
Edoni ka lindur më 31 mars 1999 në Herford, në Nordrhein-ëestfalen, duke u bërë, si shumë bashkatdhetarë të tij, një fëmijë i mërgimit. Pas kthimit, familja Zhegrova jetoi në shtëpinë e trashëguar familjare, së bashku me gjyshërit dhe kushërinjtë.
“Babai i tij kishte marrë një post si roje burgu,” – tregon Agim Hoxha (foto ketu lart), një nga trajnerët e tij të parë te Flamurtari.
“Edoni filloi të luante futboll në rrugë. Ai erdhi në klub rreth moshës 6 vjeç. Zbriste i vetëm dhe qëndronte shpesh deri natën. Ai ishte tashmë mbi nivelin e të tjerëve. Vëllai i tij, i cili është një vit më i vogël, iu bashkua më vonë. Erblini ishte gjithashtu një lojtar i mirë, por mbrojtës. Ai ishte më fizik dhe shpesh përdorte forcë, por Edoni gjithmonë ia dilte me teknikën e tij. Ai i mahniste të gjithë me driblimet e tij. Ishte i vetmi lojtar që nuk merrte udhëzime”.
Aktualisht me statusin e njërit prej arbitrave më të rinj të Superligës kosovare, Rrezart Hasani, zbret një kornizë të vjetër nga muri i zyrës. Ai ka qenë një ish-mbrojtës i djathtë, kampion i Kosovës për kategorinë U13 gjatë sezonit 2011-2012 ku Zhegrova kish filluar të shkëlqente. Flamurtari kishte mposhtur Kosovën e Vushtrrisë me 3 gola nga ylli vendas, më 12 qershor 2012, në finale (4-1).
“Unë luaja pas tij dhe isha i detyruar të mbuloja hapësirat,” qesh ish-shoku i skuadrës. “Ai nuk dinte të mbronte! Por askujt nuk i interesonte sepse Edoni dinte të fitonte ndeshjet. Ti i jepje topin dhe nuk e shihje më. Ne argëtoheshim shumë me të. Ishte shumë shakaxhi. I pëlqente jeta, topi shumë, por jo dhe aq shkolla!”
Gjatë shtatë sezoneve të tij te KF Flamurtari – një klub ikonë në Kosovë që nuk iu nënshtrua kurrë serbëve gjatë luftës dhe që mban ngjyrat kuqezi për besnikërinë ndaj Shqipërisë – Zhegrova u trajtua me shumë kujdes nga të gjithë. Familja e tij nuk kishte shumë euro, të cilat sapo kishin zëvendësuar markat gjermane si valutë lokale.
“Ne i ofronim licencën dhe disa veshje sportive sepse ishte shumë i talentuar,” kujton Artan Bytyqi, përgjegjësi i shkollës së futbollit. “Mbaj mend që ndonjëherë luante me dy këpucë të ndryshme të ripërdorura. Ne gjithmonë i kushtonim shumë vëmendje. Ishte pak si maskota dhe krenaria jonë. Ai kishte një vetëbesim të jashtëzakonshëm. Agim Hasani, trajneri i ekipit tonë të parë, ndonjëherë e merrte në stërvitjet e të rriturve ndërkohë që ai sapo kishte hyrë në adoleshencë!”
Nuk e kaloi te AC Milan për shkak të vizës
Sulmuesi i dobët, me fytyrën ëngjëlli, ishte djalli i vogël i rrugëve me asfalt të Prishtinës. Reputacioni i tij ishte përhapur në të gjitha rrugicat e kryeqytetit, me rreth 230,000 banorë. Ky reputacion nuk vonoi të kapërcente kufijtë.
“Një ditë të vitit 2012, Edoni erdhi në stërvitje duke qarë”, kujton Agim Hoxha. “Sapo kishte mësuar që AC Milan po organizonte një përzgjedhje në Prishtinë dhe ai nuk ishte regjistruar. E mora për dore dhe bëmë 3 kilometra në këmbë për të arritur aty në momentin e fundit. Ai mori jelekun e fundit… dhe doli i pari përpara më shumë se 300 fëmijëve! AC Milan e ftoi për një javë në Itali.”
Ky udhëtim i parë jashtë kufijve të Kosovës si futbollist e shenjoi shumë yllin e ardhshëm.
“Kur fitova, nëna ime kishte lot gëzimi në sy,” kujton sulmuesi i Lille-s. “E përjetova atë provë si një ëndërr fëmijërie. Shkova në San Siro për të parë një ndeshje kundër Chievo Veronës. Takova brazilianin Pato. Bëmë disa foto. Ajo javë mbetet një moment shumë i rëndësishëm”.
Por supertalenti nuk mundi të transferohej në Itali. Vizat nuk për të dalë nga Kosova, e cila mbetej një lloj “toke askujt” në hartën e Europës nuk jepeshin kollaj.
Edoni, ende adoleshent, vazhdonte të luante me argëtim dhe nuk e shihte futbollin si një profesion. Ai u transferua te FC Prishtina, që atëherë ishte referenca kryesore në futbollin kosovar.
“Unë i thashë trajnerit ta merrte,” thotë Muhamet Pajaziti (27 vjeç), një mik i tij që sot ka ngritur një biznes xhamash dhe pasurish të paluajtshme në Prishtinë. “Banoja në lagjen fqinje, në Kolovicë. Ishte 10 minuta larg shtëpisë së Edonit, i cili shpesh vinte të hante tek unë para ndeshjeve. Edhe sot është shumë mirënjohës për atë periudhë me familjen time. Ne kishim një kosh basketbolli në oborr dhe luanim me shokët. Por Edoni gjithmonë donte të ndryshonte rregullat që të shënonim me këmbë! Ishte teknikisht mbresëlënës. Ai shpesh ishte i tejkualifikuar te FC Prishtina. Mbaj mend një ndeshje që fituam 10-1. Ai shënoi tetë gola. Shpesh më thoshte që një ditë do të luante për Barcelonën. Ishte adhurues i Lionel Messit.”
Gazmend Haliti e ndihmoi të kalonte një nivel më lart, me ekipin U15 të FC Prishtinës duke fituar edhe një tjetër titull kombëtar.
“E vetmja gjë që i kam dhënë është disiplina taktike” – thotë me modesti ai që e trajnoi Zhegrovën nga mosha 13 deri në 15 vjeç, para se ai të largohej për në Belgjikë. “Edoni gjithmonë bënte atë që donte. Ishim të detyruar t’i jepnim liri të plotë në lojë. Ai është një talent i lindur, por një dashamirës i vërtetë i futbollit. Ai vinte një orë para stërvitjeve për të bërë ushtrime shtesë. Ndonjëherë ai jep përshtypjen e një çunaku të relaksuar ose pak arrogant, por në të vërtetë ishte një fëmijë punëtor dhe me respekt. FC Prishtina ishte klubi më i madh në vend, me shumë konkurrencë, por ishte i pari që vendosja në listën e formacionit. E dallova menjëherë kapacitetin e tij për të arritur nivelet më të larta.”
Adoleshenti vazhdonte të mahniste, skautët e huaj filluan të interesoheshin për të, por talenti i Balllkanit mbetej i penalizuar nga mbyllja e kufijve. Kosova, kjo “copëz” e vogël, nuk ishte ende e njohur nga UEFA dhe FIFA. Ajo u bë pjesë e këtyre organizatave vetëm në vitin 2016, falë punës së Fadil Vokrrit, një ish-sulmues i përfaqësueses jugosllave, i kthyer në legjendë kosovare dhe president i Federatës deri në vdekjen e tij në qershor 2018.
“Atëherë, djemtë si Edoni mund të shkonin nëpër turne vëtëm në Shqipëri,” kujton Gramoz Vokrri, djali i ish-drejtuesit, që tashmë është mik i ngushtë i futbollistit që numëron 42 paraqitje dhe 5 gola për kombëtaren e Kosovës. “Edoni madje për pak do të luante për Shqipërinë. Ai gjithashtu mund të përfaqësonte Gjermaninë, ku kishte lindur, apo Belgjikën, ku u transferua më vonë te Standard Liège, Saint-Trond dhe KRC Genk. Por ishte babai im ai që e bindi të priste ftesën nga Kosova. Ai u thirr për herë të parë për një ndeshje miqësore kundër Madagaskarit, në mars 2018, në Franconville (Val-d’Oise), pranë Parisit. Fituam 1-0… dhe ishte ai që shënoi golin.”
Fenomeni kosovar kishte nisur karrierën. Shumë larg rrugëve të rrënuara të Taslixhës, ku sot hasen fëmijë të shumtë me fanellat e LOSC mbi supe.
Për L’equipe François Verdenet & Franck Faugère/