BallinaKryesoreINTERVISTA/Ahmet Prençi flet për revistën "Bordo": Asnjë imagjinatë në letërsi nuk e...

INTERVISTA/Ahmet Prençi flet për revistën “Bordo”: Asnjë imagjinatë në letërsi nuk e tejkalon të vërtetën!

spot_img
spot_img

Nuk është një gjë e zakonshme, që emrin e një ish-drejtuesi policie, të njohur në të gjithë vendin, ta shohësh në emrin e një libri, si një romancier. I tillë është rasti i Ahmet Prençit, autor i romanit “Brenga e Prokurorit”, një surprizë për Panairin e Librit, pasi rikthehej suksesshëm me ribotimin e tij, dhe që padyshim tërhoqi edhe vëmendjen tonë mes shumë autorësh, që u prezantuan këtë vit në stendat e shtëpive Botuese. Prençi, i cili tashmë i është dedikuar krijimtaris, ndan me lexuesit e BORDO çfarë e frymëzoi historinë e këtij romani, dhe detaje nga mënyra e të shkruarit. Për ata që ende nuk e kanë lexuar librin, patjetër ky botim është një zbulesë, ndërsa për ata që njohin letërsinë e tij, lajmi i mirë është se një tjetër vëllim është në proces.

Zoti Prençi, “Brenga e prokurorit” u ribotua për Panairin e Librit. Cilat ishin përshtypjet tuaja nga ky event?

Çdo aktivitet që bëhet për librin, është një ngjarje e rëndësishme për autorin. E tillë ishte dhe për mua. Shpërndarja e tirazhit të parë ndër lexues tregon që libri ka ecur mirë. Aktivitetet dhe diskutimet e shumta të organizuara për romanin “Brenga e prokurorit”, dëshmojnë interesin e madh nga lexuesit dhe dashamirët e librit. Ndjehem gjithashtu i kënaqur me vlerësimet dhe çmimet që ka marrë ky roman. Ditët e fundit mora lajmin e mirë që është botuar në anglisht në SHBA dhe është në proces botimi në Itali. Ribotimi mjaft cilësor dhe i shpejtë nga shtëpia botuese “Mediaprint”, si dhe interesi i treguar për të në Panair më gëzuan shumë. Aty pata rastin të takoj shumë lexues të dy romaneve të mi, të cilët vazhdojnë të kenë jehonë ndër lexues të moshave të ndryshme.

Jam kurioze, ngjarjet e librit a janë të vërteta? Sepse rreth fabulës kryesore ka shumë të tjera që e rrethojnë.

Përderisa episodet që pasurojnë gjithë romanin lidhen me krimin, ato domosdoshmërisht kanë lidhje me aktivitetin tim të gjatë, në strukturat ligjzbatuese shqiptare. Gjatë procesit të të shkruarit të romanit, në mendje më vinin me qindra episode të përjetuara gjatë karrierës sime, që lidhen me të vërteta që të ngarkojnë me ankth dhe trishtim. Asnjë imagjinatë në letërsi nuk e tejkalon atë që has në të vërtetë, sidomos në një periudhë të mbushur me padrejtësi dhe krim, ku vetë, si autor, je një aktor i përfshirë në mënyrë dinamike. Episodet në libër janë të vërteta që unë i kam përjetuar, përfshirë edhe ato gjatë periudhës komuniste kur isha fëmijë. Nuk them që romani është biografik. Jo. Në mënyrë letrare, kam përshtatur atë realitet që kam parë dhe dëgjuar vetë. Si autor, jam aty brenda tekstit si një kronikan, që përshkruan të vërtetat që e rrethojnë dhe dhembin.

Ekskluzive/ Ahmet Prençi: Asnjë imagjinatë në letërsi

Sa ka ndikuar eksperienca në polici, për të gdhendur personazhet apo ngjarjet?

Padyshim, ka ndikuar shumë. Ky tranzicion i gjatë ka qenë dhe mbetet i mbushur me ngjarje dhe ndodhi të dhimbshme, të trishta dhe dëshpëruese. Diku Joyce thotë: “Historia është një makth, nga i cili dua të zgjohem”. E pra, gjatë kësaj periudhe të vështirë, për shkak të punës sime, më ka qëlluar të jem një pjesëmarrës dinamik brenda vorbullës së këtyre ngjarjeve. I përfshirë pikërisht në aksin e brendisë së tyre. Tani që jam larguar nga ai aktivitet alarmant, ndjehem më i qetë për të shkruar dhe këtë po bëj. Memoria ime është e ngarkuar mjaft. Thjesht duhet të “zgjohem” për të bërë letërsi, mbi ato ndodhi që kam përjetuar. Borges thotë: “Bashkë me njeriun vdesin mijëra rrethana, mijëra kujtime…” .Ato që duhet t’jua tregojmë të tjerëve, e kemi detyrë ta bëjmë. “Libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës, ndaj duhet të shkruajmë”, porosiste i madhi Borges.

Martini mes së tashmes, së shkuarës dhe së ardhmes, duke përzier dashurinë, miqtë dhe profesionin, duket si një fabul policeske…

Romani, ndonëse ka episode policeske, mendoj që nuk është krejt i tillë. Peshën kryesore e ka lufta e brendshme psikologjike, që shoqëron personazhin kryesor, Martin Guri. Te ky personazh vihet përballë njeriu qytetar me prokurorin dhe misionin e tij. Përballet vazhdimisht morali me ligjin. Nëpërmjet retrospektivës kam synuar të shfaq metamorfozën që pëson personazhi i kohës sonë, që ka jetuar dy jetë: atë komuniste dhe demokracinë, si dhe ka jetuar në dy shekuj: atë që iku dhe shekullin e ri ku ndodhemi sot.

Notat e suspanse-it në roman kanë një prekje alla Agatha Christie, por ju e sillni me një prekje më reale. Kjo ndodh sepse janë të tilla, apo është zgjedhje autoriale?

Siç e thashë më lart, nuk mund të them se romani është mirëfilli policor. Episodet kriminale, ndonëse të shumta, i japin mundësi Martin Gurit të shpalos luftën e tij të brendshme. Kjo ka qenë zgjedhja ime që në fillim, kur kam hedhur linjat kryesore të romanit. Nuk është libër i zhanrit të Agatha Christie, as i Edgar Poe, shpikësit të zhanrit policor. Të gjitha episodet janë krejt reale dhe të vërteta, që mbështjellin dhe pasurojnë fabulën kryesore që përshkon romanin nga fillimi në fund. Unë i kam parë, i kam përjetuar dhe tashmë vetëm u gjej vendin e duhur, duke u dhënë formën letrare.

Më pëlqyen monologët, të cilat kanë një forcë emocionale të madhe, përshkruese dhe narrative. A ka ndikuar poezia këtu?

Kjo mënyrë të shprehuri më pëlqen, pasi i jep mundësi personazhit të shfaqë të plotë botën e tij të brendshme, përjetimet, dëshpërimet dhe frikërat në momente të vështira. Ngjarja në roman zgjat 48 orë. Meditimi dhe monologu i brendshëm, besoj, transmeton te lexuesi trishtimin dhe peshën emocionale të personazhit. Poezia, në vazhdim të pyetjes suaj, është shpirti i çdo teksti.

E kam etiketuar si një roman psikosocial. Po ju, në çfarë zhanri do ta përfshinit?

Jam i të njëjtit mendim. Konstatimi juaj, besoj, është i saktë.

Larmia e gjuhës është një tipar mjaft interesant. Shqipes standarde i bashkëngjisni fjalë të rralla të gegërishtes. Si është ky proces?

Ndonëse në romanin “Anja” kam patur vështirësi për ta shkruar, pasi i kisha vënë qëllim vetes të mos përfshihem në profesionin tim, te “Brenga e prokurorit” isha shumë komod. Ishte një temë që lidhej me profesionin tim dhe e kam shkruar shumë shpejt. Sfida kryesore ishte raporti mes gjuhës letrare që kërkon lexuesi dhe gjuhës teknike-profesionale me të cilën jam mësuar të shkruaj aktet e punës. Besoj në ripunimin e tekstit e kam rregulluar këtë raport. Futja e fjalëve nga gegërishtja, andej nga vjen personazhi, jam i sigurt që i jep bukuri tekstit.

Nga poezia te romani, ku jeni fokusuar së fundmi? Po ju, ku e gjeni veten më shumë?

Jam fokusuar te romani. Nëse poezia “pikon” dhe mund të shkruhet kudo e kurdo që të vijë frymëzimi, romani kërkon një proces më të gjatë krijues. Së pari, ai shkruhet në mendje, ku konsolidohet ideja dhe kompozimi paraprak. Më pas, kur ulesh për ta shkruar, është një proces që kërkon disiplinë, kohë, vetmi dhe përkushtim.

A keni në dorë diçka që mund ta zbuloni për lexuesit e “Bordo”?

Po. Jam në momentet kur po mundohem t’i krijoj vetes kushtet për t’u ulur në tryezën e punës.

Faleminderit shumë! Marre nga Revista Bordo

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular