Këshilltarja e Ramush Haradinajt, Meliza Haradinaj, e cila ka qenë mjaft aktive në rrjet menjëherë pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit, në një postim të fundit në FB ka treguar edhe disa “sekrete” nga betejat e Haradinajt për çmontimin e planit Vuçic-Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe taksën 100% kundër Serbisë. Ajo ka përmendur gjithashtu disa momente gjatë mandatit të Haradinajt, duke treguar se si “i futën thikën pas shpine”, edhe `ata` prej të cilëve ai nuk e priste.
Potimi i plotë i Meliza Haradinajt:
Kryeministër,
Të pashë teksa u acarove kur ta përmendën për herë të parë në zyrën tënde ndarjen e Kosovës;
Të pashë teksa ia the troq, tejskajshmërisht i irrituar, atij që për herë të parë ta përmendi ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve – që nuk është më i mirëseardhur në zyrën tënde;
T’a njoha dhimbjen kur ishe i vetëm në luftën për mosdorëzimin e sovranitetit të Kosovës te Serbia;
Isha aty kur iu the të gjithëve që për Ushtrinë e Kosovës nuk do të vendoset në tavolinën dialoguese me Serbinë, as për Trepçën, as për tregun e Kosovës;
Të pashë kur t’i ngulën ‘thikat në shpinë’ ata prej të cilëve nuk e prisje, por nuk tu tremb syri as goja për t’i përballë me të vërtetën.
Çfarëdo të jetë epilogu i shkuarjes sate të sotme në Hagë, prapa na ke, si ushtarë politikë, luftëtarë të paqes, në rresht, duke shtyer përpara kauzën tënde për t’a bërë Kosovën ashtu siç na e lanë amanet të parët tanë. Për Kosovën shtet – të pandashëm, unik, që qëndron e fortë vertikalisht në këmbët e saj.
Na e the sot, që vetëm ata që qëndrojnë stoik për shtet e popull, do të dalin fitues! Kosova jonë e ka fitoren në derë!
Faleminderit dhe Mirupafshim së shpejti në Kosovë, Kryeministër!