Gjykata e Fierit vendosi masën arrest në burg për 17 vjeçarin B.D. i cili plagosi me thikë bashkëmoshatarin në oborrin e shkollës së mesme Cakran, ndërsa avokati ka kërkuar arrest në shtëpi.
Ai goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës në gjimnazin “ Mustafa Hoxha” në Cakran pas një konflikti të çastit.
“Nuk jam në gjendje të flas, jam në ankth”, mësohet të ketë thënë adoleshenti sot para gjykatësve.
Ai ra në prangat e policisë menjëherë pas ngjarjes nga blutë e Fierit dhe mbi të rëndon akuza “ Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Ishte gjyqtarja e gatshme për të mitur Klodiana Kryeziu që dha vendimin, ndërsa prokurorja ishte Oliana Gjergjefi, e cila ishte e pranishme në shkollë edhe ditën e ngjarjes dhe në deklaratën për media pohoi se ngjarja është shumë e rëndë, por ka garantuar hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Ndërkohë 17- vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza.
Sipas dëshmisë së të plagosurit konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale. I plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.