NGA PROF. DR. GJOKË ULDEDAJ
Forumi i parë i organizuar nga Liga e Universiteteve “Gjon Durrahium” kishte në fokus rëndësinë e hapjes së tregut të arsimit të lartë për studentët e huaj, duke e parë në këndvështrimin e zhvillimit akademik, ndërkombëtarizimit të sistemit, përfitimeve ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore. Shqipëria ka potencialet dhe mundësitë që të bëhet një destinacion i rëndësishëm për studentët e huaj, ashtu siç u bë destinacion në turizëm, me rezultate përtej pritshmërive tona. Kjo për faktin se sot në sektorin e turizmit nuk janë më problem numrat, por cilësia e ofertës turistike. Hapjen e tregut të arsimit të lartë për studentët e huaj do ta konsideroja një lëvizje strategjike dhe një prioritet i kohës, që jo vetëm forcon sistemin tonë arsimor, por na pozicionon si pjesë aktive në tregun global të dijeve dhe njohurive.
Për më tepër, prania e studentëve ndërkombëtarë rrit dhe zhvillon mjedisin akademik dhe nxit ndërkombëtarizimin e universiteteve. Prania e studentëve ndërkombëtarë sfidon universitetet tona, që të përmirësojnë kurrikulat dhe metodologjitë e mësimdhënies, për t’u kujdesur për një trup studentore më të larmishme. Për më tepër, prania e studentëve ndërkombëtarë do të rrisë rankingun global të universiteteve tona, për faktin se rankimi i universiteteve ndikohet edhe nga kritere të tilla si numri i studentëve të huaj dhe i pedagogëve ndërkombëtarë, krahas kritereve të cilësisë dhe sasia e publikimeve kërkimore-shkencore. Është fakt se Shqipëria ka kryer reforma të suksesshme në arsimin e lartë, por akoma nuk kemi të konsoliduar qëndrimet, për zhvillimin e arsimit për studentët e huaj. Ndërsa përfitimet e hapjes së tregjeve të arsimit të lartë për studentët e huaj janë të shumta, ka edhe sfida dhe konsiderata që duhen trajtuar. Një nga përfitimet më të menjëhershme dhe të dukshme të hapjes së tregjeve të arsimit të lartë për studentët e huaj është ndikimi ekonomik.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet me ekonomi në zhvillim siç jemi ne, ku rritja e numrit të studentëve të huaj do të ndikojë në të ardhura të konsiderueshme që vijnë nga tarifat e shkollimit, nga kosto e jetesës dhe nga shërbime të tjera. Kjo gjë u siguron universiteteve burime shtesë, për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kërkimit-shkencor. Eksperienca e Malajzisë, që është kthyer në një destinacion popullor për studentët e huaj, tregon se në këtë vend, studentët e huaj kontribuojnë me rreth 1.2 miliardë euro në vit. Është me rëndësi të theksojmë se përfitimet ekonomike afatgjata, shtrihen përtej gjenerimit të menjëhershëm të të ardhurave. Kjo për faktin se një sistem i arsimit të lartë i zhvilluar mirë që tërheq studentë të huaj, mund të rezultojë në një “fitim të trurit”, për vendin. E thënë ndryshe një tjetër aspekt i rëndësishëm ekonomik është integrimi i tyre në tregun e punës, pas përfundimit të studimeve.
Eksperienca e disa vendeve evropiane si Mbretëria e Bashkuar kanë politika që u mundësojnë studentëve ndërkombëtarë të qëndrojnë dhe të punojnë për një periudhë pas diplomimit. Kjo jo vetëm që ndihmon studentët të fitojnë përvojë, por gjithashtu i jep një shtysë tregut të punës dhe ndihmon në zbutjen e mungesave të aftësive në sektorë të caktuar. Aktualisht, Shqipëria ka numrin më të ulët të studentëve të huaj në Evropë, përkundrejt disa vendeve të Ballkanit që po përjetojnë rritje të konsiderueshme. Serbia aktualisht ka 12,000 studentë të huaj, ndërsa Maqedonia ka rreth 5,000 studentë të huaj. Shqipëria aktualisht ka rreth 2,000 studentë të huaj, nga të cilët rreth gjysma janë nga trojet shqiptare. Megjithëse mund të themi me bindje se testi për të studiuar në Shqipëri është tejkaluar nga studentët italianë, që zënë rreth 51.7% të numrit total të studentëve të huaj.
Nëse vendi ynë arrin të tërheqë një numër të ngjashëm të studentëve të huaj, si vendet e rajonit në proporcion me numrin e popullsisë, kjo do të përkthehet në qindra miliona euro shtesë për ekonominë e vendit. Në rrethanat e funksionimit të këtij sistemi, parashikohet që në kuadrin e 5 viteve ky treg të tërheqë rreth 50.000 studentë të huaj, me një të ardhur të konsiderueshme që shkon në rreth 1 miliard euro. Statistikat dhe përvojat e vendeve të ndryshme tregojnë qartë se investimi në arsimin ndërkombëtar nuk është vetëm një mjet për përmirësimin e sistemit arsimor, por edhe një motor i fuqishëm për zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Përveç të ardhurave financiare, këto institucione kanë përfituar edhe nga diversiteti kulturor dhe akademik, duke forcuar kapacitetet e tyre kërkimore dhe shkencore. Në mënyrë të ngjashme, vendet e Ballkanit si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë shfrytëzuar mundësitë që ofron arsimi ndërkombëtar për të forcuar ekonomitë e tyre dhe për të ndërtuar marrëdhënie të reja. Këto vende kanë demonstruar se me investimet e duhura dhe politikat e mira, është e mundur të rritet ndjeshëm numri i studentëve ndërkombëtarë dhe të rrisim nivelin e përfitimit ekonomik dhe shoqëror.
Aktualisht, Serbia ka raportuar rreth 150 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut rreth 50 milionë euro. Shqipëria është në një pozicion strategjik për të shfrytëzuar këto mundësi, por kërkohet një angazhim më i kujdesshëm i institucioneve arsimore, për të zbatuar reformat e nevojshme. Duke ndjekur modelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe duke mësuar nga përvojat e vendeve të tjera të Ballkanit, Shqipëria mund të krijojë një mjedis të favorshëm për studentët ndërkombëtarë, duke përmirësuar njëkohësisht edhe cilësinë e sistemit arsimor. Ky është një moment kritik për Shqipërinë. Nëse veprohet me vendosmëri dhe me një plan të qartë, Shqipëria mund të bëhet një destinacion i preferuar për studentët ndërkombëtarë, duke përfituar jo vetëm nga kontributi ekonomik që sjellin ata, por edhe nga ndikimi i tyre pozitiv në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të vendit. Përfitimet do të jenë të dukshme: ekonomia do të gjallërohet, marrëdhëniet ndërkombëtare do të forcohen dhe cilësia e arsimit do të rritet. Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndërtuar një të ardhme më të pasur dhe të larmishme për të gjithë qytetarët e saj. Investimi në arsimin ndërkombëtar është një investim në të ardhmen e Shqipërisë dhe veprimet e duhura tani do të sjellin përfitime të qëndrueshme për shumë vite që vijnë. Sot jemi përpara faktit që Shqipëria nuk ka mundësi që t’i trajtojë këto kërkesa. Arsyet janë edhe subjektive, edhe objektive, që nuk varen nga ne, por kërkojnë rregullim ligjor. Në 20-vjeçarin e fundit, Shqipëria ka eksportuar shumë pedagogë që janë aktualisht në universitetet më prestigjioze në Evropë dhe në vendet të tjera. Ky kontingjent mund të vijnë dhe të angazhohen për mësimdhënie për module të veçanta. Është gjithashtu me rëndësi rekrutimi i stafit ndërkombëtar për shkak se programet e reja dhe zhvillimet, në veçanti ato teknologjike, kërkojnë një staf shumë më të specializuar në ato disiplina që janë në avangardë të shkencës dhe teknologjisë.
Aktualisht në të gjithë sistemin e arsimit të lartë, janë rreth 231 programe në gjuhë të huaj, ku 165 programe ofrohen nga IAL-të jo publike dhe 65 nga IAL-të Publike (këtu përfshihen edhe programet e studimit që ofrohen në dy ose më shumë gjuhë është shqipe dhe tjetra është gjuhë e huaj). Duhet të theksojmë se pjesa më e madhe e këtyre programeve nuk po shfrytëzohen, megjithëse edhe përpjekjet kanë qenë të kufizuara. Në Shqipëri, ky aspekt është ende i pashfrytëzuar. Me një treg pune që shpesh ka nevojë për specialistë të kualifikuar, mundësia për të lejuar studentët e huaj të punojnë pas diplomimit do të ishte një ndihmë e madhe për ekonominë dhe bizneset vendase. Nga ana tjetër, prania e studentëve të huaj rrit diversitetin kulturor dhe përmirëson cilësinë e arsimit, duke sjellë perspektiva dhe metoda të reja mësimdhënieje.
Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të ngjashme nga ky diversitet. Tirana është një nga qytetet më të bukura për të jetuar të rinjtë, jo vetëm për stilin e jetës, por edhe për natyrën dhe pozicionin gjeografik. Kjo pasuron jo vetëm jetën studentore, por edhe atë shoqërore. Pasi ka studentë që vijnë për të studiuar, por me plane për të punuar dhe jetuar në Shqipëri. Për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi, institucionet arsimore duhet të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, përfshirë modernizimin e kampuseve, përmirësimin e shërbimeve studentore dhe zgjerimin e programeve të ofruara në gjuhë të huaja. Gjithashtu, është me rëndësi bashkëpunimi me agjenci arsimore ndërkombëtare për të promovuar programet tona të studimit dhe për të tërhequr sa më shumë studentë nga vende të tjera. Kjo realizohet duke krijuar zyra të posaçme për studentët ndërkombëtarë, të cilat do të ofrojnë ndihmë për strehim, këshillim akademik dhe mbështetje për integrimin social. Tërheqja e studentëve ndërkombëtarë është një garë, që duhet fituar brenda 5 viteve të ardhshme, ndërsa vendi ynë i ka kapacitet të tërheqë dhe të presë deri në 50.000 mijë studentë të huaj.
*Rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, fjala e mbajtur më 12.12.2024, në krijimin e Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium