Nga Bujar Leskaj
Akti Normativ Nr. 4 datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar”, vërteton edhe njëherë qëndrimin e padrejtë, grotesk dhe imponues të sektit Rama ndaj biznesit në tërësi, por sidomos ndaj profesioneve të lira.
Kjo administratë, e frymëzuar nga sekti Rama në qeverisje, në aventurizmin dhe diktatin e saj ndaj pjesës më krijuese të shoqërisë sonë, profesionistëve të lirë, nuk dëgjon të pranojë fajin me trajtimin diskriminues ndaj tyre, të nxjerrë lakuriq përpara shqiptarëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 27 qershor 2024.
I. Akti Normativ Nr. 4 kërkon të shpëtojë diçka që nuk shpëtohet!
Akti Normativ Nr. 4 përpiqet tani të shpëtojë çka nuk mund të shpëtohet: shkeljen flagrante të Kushtetutës ndaj 6541 profesionistëve të lirë, të cilët u detyruan t’i paguajnë shtetit 5 milionë euro, për shkak të miratimit dhe zbatimit të një ligji krejtësisht abuziv dhe antikushtetues.
Sekti në fuqi duhet të mbahen përgjegjës juridikisht dhe materialisht për keqtrajtimin fiskal të mbi 29 mijë profesionistëve të lirë që nga janari i këtij viti, si dhe për humbjet e shkaktuara këtyre 6541 profesionistëve të lirë, nga ngrirja e fondeve të tyre në vlerën e përgjithshme 5 milionë euro për muaj me rradhë.
Asnjëhere nuk duhet të harrojmë atë gjë të rëndë që ndodhi me aventurën e sektit në fuqi dhe administratës së tij tatimore në periudhën janar-qershor 2024. Ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” shkelën parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, si dhe cënuan parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Zbatimi i këtyre ndryshimeve për muaj me rradhë krijoi pasiguri juridike për bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale.
Nuk duhet të harrojmë që gjatë muajit prill të këtij viti, referuar të dhënave të QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit, depozituan kërkesë për pezullim aktiviteti 10,470 biznese të profesioneve të lira.
II. Skandal kolektivizimi i një gjoja “zgjidhjeje”-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë!
Trajtimi i diferencuar tatimor i profesioneve të lira, kundrejt bizneseve të tjera, që, deri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ju jepej kohë deri më 30 dhjetor 2029 të përshtaten me sistemin e ri fiskal, cënoi rëndë lirinë e veprimtarisë ekonomike.
Gjykoj se dikush duhet mbajtur përgjegjës ligjërisht dhe administrativisht për këtë akt dhe ky dikush është sekti Rama në fuqi.
Ishte vërtet paradoksale dhe grotekse, në një kohë që zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat shkeli Kushtetutën, pasi diskriminoi qartazi tatimpaguesit, propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit socialistë e kanalizuan diskutimin në mënyrë hipokrite tek shmangia e detyrimeve nga profesionet e lira, që është nxitur nga hapësirat ligjore.
Kjo paraqitej tërësisht e padrejtë dhe jo profesionale, pasi organet tatimore i kanë të gjitha mjetet, për të luftuar abuzuesit, dhe nuk kishte pse të kolektivizohej një zgjidhje-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë të ndershëm!
III. U rrezikua kolapsi i sistemit të taksapaguesve
Për rrjedhojë të kësaj politike fiskale diskriminuese, te 29 mije profesionistet e lire u vune perpara veshtiresish financiare për të parapaguar brenda 30 qershorit 2024 këstet e tatimit, duke rrezikuar kolapsin e sistemit të tatimpaguesve.
Tani, ky Akt Normativ Nr. 4, grotesk dhe i pafytyrë, kërkon t’u vërë kapak abuzimeve të nisura që nga janari 2024, po nga një akt tjetër normativ!
Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Që në janar 2024, në muajin e parë të zbatimit të ligjit kontrovers, kishte vakuum ligjor, paqartësi ligjore dhe mangësi për zbatimin e tij, të cilat dëmtuan të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Ekonomistët, kontabilistët dhe ekspertët kontabël të mbarë vendit mbetën të befasuar që ky parashikim ligjor nuk u zbatua nga administrata tatimore dhe u vendos parapagimi i tatimit, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj dhe orientimeve nëpërmjet trajnimeve të zhvilluara. Kush mban përgjegjësi sot për këtë situatë groteske të krijuar nga mos-profesionalizmi dhe arroganca e administratës sonë tatimore, si dhe për rrezikimin e çuarjes në kolaps të sistemit të taksapaguesve?
Jo vetëm përmbajtja juridike e njoftimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për llogaritjen e parapagimit ishte e gabuar, por edhe nuk u zbatua korrekt ligji i ri, që njihte zbritjen e shpenzimeve me 30% te te ardhurave. Kush do të paguajë për këto shkelje ligjore dhe etike të administratës ndaj profesionistëve të lirë?
xxx
Aventurizmi dhe papërgjegjshmëria ekstreme e sektit Rama në trajtimin ndaj biznesit të ndershëm, sidomos pjesës më krijuese dhe intektuale të tij, profesionistëve të lirë, nxjerr zbuluar gjendjen e mjeruar dhe absurde ku e ka katandisur Rama sistemin tonë tatimor.
Partia Demokratike dhe lideri i saj historik, Prof. Dr. Sali Berisha u paraqesin shqiptareve nje alternative fiskale ndryshe, nje administrate fiskale dhe politike fiskale te ndershme dhe te orientuar nga ndihma per qytetarin taksapagues.
Krahas takses se sheshte 10 perqind, qe do te vendose drejtesine tatimore dhe do te nxise biznesin te investoje fitimin e tij dhe te hape me mijera vende te reja pune, Berisha propozon krijimin e një karte të konsumatorit, që do të mundësojë rimbursimin e 100% të TVSH-së për produktet bazë të shportës për çdo pensionist dhe për çdo familje që është në vështirësi ekonomike.