“TikTok do mbyllet për një vit”/ Rama për masat e reja në shkolla: Sot ndihem i lehtësuar!

0
40

Kryeministri Edi Rama, nga takimi me prindër e mësues diskutoi masat e reja të qeverisë në shkolla, duke filluar me mbylljen e platformës së shumë diskutuar, Tiktok.

Rama tha se ndihet i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër dhe kjo platformë do mbyllet për një vit.

Unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë faktorët që janë drejtpërdrejtë që janë të lidhur me këtë sferë të edukimit dhe sigurisë të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret, me masa konkrete dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt”-u shpreh Rama.

Me sistemin e ri në shkolla, Rama tha se të gjithë prindërit do të kenë mundësi të shikojnë përmes kamerave fëmijët e tyre. Tiktokun, Rama e cilësoi si ‘rrugaçin’ e lagjes.

Me atë program dhe me atë sistem, të gjithë prindërit do të kenë mundësi që të shkojnë në klasë dhe të shohin se si rri fëmija i tyre dhe ta kenë në video fëmijën e vetë. Për çdo lloj problematike që krijohet, drejtoria e shkollës do të ketë mundësinë të ballafaqojë fëmijë, prindër të thotë ja si ndodhi.

Çështja  e bullizmit, ne nuk e zbuluam pas kësaj tragjedie. Ne kemi një institucion që merret me këto ankesa, të cilat trajtohen, por pas kësaj tragjedie, shumë më tepër janë të vetëdijshëm për rrezikun, shumë më tepër janë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit. Edhe sistemi i fletores dixhitale, i cili do të plotësohet në sistemin e komponentit të komunikimit mes shkollës dhe prindërit, i cili nuk do të marrë vetëm mungesat e notës, por do të marrë dhe përshkrimin e sjelljes së fëmijës së vetë.

Nuk ka shkollë, nuk ka shtet, nuk ka qeveri që zëvendëson familjen dhe prindin. Ashtu si kundër, mësuesi, nëse nuk e ka prindin aleat, ka shumë pak në dorë dhe nga ana tjetër, nëse bashkarisht mësuesit, prindërit nuk vendosin sot të ndryshojnë qasje në këtë marrëdhënie, dhe të sigurohen që të bëjnë të gjitha ato që i duhen për të siguruar këtë rritje psikologjike të fëmijëve, ne do e humbnim këtë gjeneratë të fëmijëve. Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që quhet TikTok.

Ne TikTok-un do e mbyllim për një vit. Kini parasysh që ne kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6-8 javë nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit do e mbyllim TikTok-un. TikTok nuk do ketë në Republikën e Shqipërisë. Do shohim se si do funksionojnë qeveritë e tjera, si do reagojë vetë TikTok-u“-u shpreh Rama.