Fest 63- Vargjet e poetëve që gdhendën historinë e Festivalit të Këngës

0
69

Këngët që kanë shënuar historinë e muzikës shqipe për një gjysmëshekulli mbajnë edhe emrin e Jorgo Papingjit si tekstshkrues. Vargjet e tij të shndërruara në melodi janë trashëgimi për breza të tërë.

Mjeshtri i Madhe Jorgo Papingji është tekstshkruesi i dhjetëra këngëve që kanë qenë pjesë e Festivalit të Këngës ndër vite. Poezia e tij erdhi si një gëzim i dëlirë, për jetën dhe njerëzit. Vargjet e tij erdhën si jehonë për artistët që mbushin shpirtrat tanë, si krenari për të qenë shqiptar.

Pjesë e krijimtarisë së Jorgo Papingjit janë edhe 5 këngë fituese në Festivalin e Këngës duke e kthyer emri i tij në vulë të muzikës së lehtë shqipe. Gjithashtu kënga “Zemërimi i një natë” e shkruar prej tij përfaqësoi edhe Shqipërinë në Eurovision 2014

Këngët fituese në festivalin e Këngës që janë shkruar nga Mjeshtri i Madh Jorgo Papingji.

Në 1990 – “Askush s’do ta besojë” e kënduar nga Anita Bitri

Në 1993 – “Kur e humba një dashuri” e kënduar nga Manjola Nallbani

Në 1999 – “S’jam tribu” e kënduar nga Aurela Gaçe

Në 2001 – “Jetoj” e kënduar nga Aurela Gaçe

Në 2013 – “Zemërimi i një natë” e kënduar nga Hersiana Matmuja, e cila përfaqësoi edhe Shqipërinë në Eurovision 2014

Fest 63 – Luiza Xhuvani udhëton në kohë me poezinë e Dritëro Agollit

Aktorja e jashtëzakonshme e kinemasë dhe teatrit Luiza Xhuvani ka interpretuar në Natën Nostalgjike në Fest 63 poezinë e shkrimtarit të madh Dritëro Agollit “Udhëtoj i Menduar”.

Xhuvani ka zbuluar se 35 vjet më parë, në Festivalin e 28-të të Këngës, ajo kishte moderuar këtë ngjarje prestigjioze kur ishte vetëm 25 vjeç, një moment i rëndësishëm dhe emocionues për të. Ajo e përshkruan si një privilegj të madh, ku parakaluan figura të njohura të artit dhe kulturës, dhe shprehu një përgjegjësi të madhe për të drejtuar një aktivitet kaq të rëndësishëm.

Në kujtimet e saj, Xhuvani ndan një moment të veçantë kur, i ishin ofruar vetëm dy fustane për të veshur gjatë festivalit që zgjaste 3 netë. Ajo e theksoi se ka qenë familja e Vaçe Zelës që e ka mbështetur atë me një fustan të veçantë, duke e bërë këtë moment të paharrueshëm.

“Isha vetëm 25 vjeç dhe ishte privilegj i madh të moderoje një aktivitet me përmasa të tilla, ku parakalojnë poetë, këngëtarë, kompozitor, emocione dhe ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Festivali ishte 3 netë dhe mua mu qepën vetëm 2 fustane dhe problem i madh se çfarë duhet të vishja dhe mu gjend një familje që kishim miqësi, familja e Vaçe Zelës. Natën e tretë kam veshur fustanin personal të Vaçe Zelës, është një kujtim shumë i bukur”, tha ajo.

“Udhëtoj i menduar” është një rrugëtim i poetit dhe reflekton për një periudhë historike të vendit tonë dhe një udhëtim i brendshëm i tij ku shpërfaqë dashurinë për vendin dhe njeriun, për jetën për gjithçka që na rrethon.

“Është privilegj dhe nder ta artikulo Agollin”, u shpreh Xhuvani. 

Kjo poezi u kthye në këngë me kompozim të Shpëtim Saraçit dhe u këndua po në festivalin e 28-të të Këngës nga Manjola Nallbani.

Poezitë e Agim Doçit, rrënjosi këngët në zemrat e shqiptarëve dhe shënoi historinë në Eurovision

Agim Doçi, poeti i njohur dhe autori i mijëra teksteve të këngëve, ka lënë një pasuri të jashtëzakonshme në muzikën shqiptare. Me vargjet e tij, ai ka shkrirë emocionet e shqiptarëve, duke krijuar këngë që janë bërë himne të zemrave të tyre. Pjesë e trashëgimisë së tij janë tekstet që i dhanë mundësinë Shqipërisë të përfaqësohet në Eurovision për herë të parë, në vitin 2004, me këngën “Imazhi yt” të kënduar nga Anjeza Shahini, dhe më pas në vitin 2009 me këngën “Më merr në ëndërr” të Kejsi Tola.

Doçi është gjithashtu autor i shumë këngëve të njohura të Festivalit të Këngës, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut shqiptar.

Një nga këngët e tij më të njohura është “E duam lumturinë” e Parashqevi Simakut, e cila fitoi çmimin e parë në festivalin e vitit 1988. Poezitë dhe tekstet e Agim Doçit janë një pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore shqiptare, duke u bërë një pasuri që do të mbetet përherë në historinë e artit tonë.

Fest 63 – Alfred Trebicka homazh për poetin që solli revolucionin pas viteve ‘90

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Alfred Trebicka, mori pjesë në Fest 63 gjatë Natës Nostalgjike, ku recitoi poezinë “Dëshirë dhe Heshtje” të Ervin Hatibit, një nga poetët më të njohur të pasviteve 1990 që bëri revolucionin në poezinë shqiptare.

Gjatë këtij momenti, Trebicka ndau një kujtim të veçantë, duke treguar se e kishte njohur Hatibin që fëmijë dhe ishin rritur bashkë në të njëjtën mëhallë.

Emri i Ervin Hatibit është i lidhur ngushtë me Festivalin e Këngës përmes grupit Rtifolk, ku poezia e tij “Dëshirë dhe Heshtje”, pati një sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin e 33-të.

Ky moment i paharrueshëm i poezisë shqiptare shënoi një kulm të rëndësishëm në karrierën e Hatibit dhe mbeti një pjesë e dashur e historisë muzikore shqiptare.

/rtsh.al/