Seanca e Kuvendit Shqiperi-Kosovë, Shehi: E vlerësoj pozitivisht. Shteti amë ka detyrim historik dhe kushtetues që të punojë për…

0
87

Në Prishtinë u zhvillua seanca e përbashkët plenare të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse kjo seancë, nuk zhvillohet thjeshtë për interesa zgjedhore pasi më 9 shkurtin 2025 në Kosovë dhe më 11 maj 2025 në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet parlamentare, do të ishte një një ngjarje e madhe në dobi të çeshtjes kombëtare.
Sido që të jetë, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e vlerëson pozitivisht këtë seancë të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Shteti amë, Shqipëria, e ka detyrim historik, të natyrshëm dhe kushtetues që të punojë fuqishëm për identitetin dhe bashkimin kombëtar.

Është e kuptueshme që ky është një proces dhe ka specifika, që kërkon edhe mirëkuptim nga ndërkombëtarët. Ne vlerësojmë respektimin e interesit për proçeset integruese europiane, ashtu sikurse vlerësojmë se kemi edhe interesa konvergjente me fuqitë e mëdha miqësore.

Brenda këtij kuadri, çështje të tilla si e bashkimit kombëtar kërkojnë politika të zgjuara, me qëllim që interesat afatgjata kombëtare të mbahen gjithnjë në qendër të lëvizjeve politike e diplomatike.

Situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës, tregon se armiqtë historikë të kombit shqiptar, ndjekin një strategji të unifikuar dhe me forca gjithnjë e më goditëse për të arritur qëllimet e tyre.

Prandaj, krijimi dhe forcimi i instrumentave të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, veçanërisht në atë të sigurisë, është vendimtar në këtë proces. Veprimet e izoluara nga njeri, apo tjetri shtet, mund të rrezikojnë gjithçka që kemi arritur si komb.

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, duke e patur çeshtjen kombëtare në boshtin e programit të saj, sugjeron që këto takime mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kuvendit të Kosovës të bëhen sa më shpesh, ku të ftohen të marrin pjesë edhe deputetët shqiptarë nga trevat shqiptare në Maqedoni, në Luginën e Presheves, në Malin e Zi dhe në diasporë.