Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara në Himarë: Do bëjmë realitet edhe mbylljen e procesit të AMTP-ve

0
54

Kryeministri Edi Rama ishte në Himarë, ku siç tha ai përmbyllim sipas zotimit të marrë, dhënien e titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara.

Kreu i qeverisë u shpreh se ashtu siç u mbyll ky proces, do të mbyllet edhe procesi i AMTP-ve.

Rama tha se nga ana e qeverisë dhe bashkisë ky proces konsiderohet i mbyllur, ndërsa u bëri thirrje atyre personave që nuk i janë përgjigjur thirrjes të vijnë dhe të vazhdojnë me procesin, në mënyrë që të marrin dokumentet.

“Duke vazhduar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritura të shtëpisë me lejoni që t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet përmbylljen e këtij procesi, ashtu do bëjmë realitet edhe mbylljen e procesit të AMTP. Ky proces për ne konsiderohet i përmbyllur nga pikëpamje e qëndrimit mbi kokë edhe jashtë orarit zyrtar. Por një sërë individësh që nuk janë paraqitur, janë kërkuar nga bashkia, por nuk janë gjetur, shpresoj se në rast se na dëgjojnë të bëhen të gjallë kudo ku janë në botë dhe me gatishmëri do të marrin edhe ata dokumentin. Ajo që është e sigurt është që të gjithë banorët që janë këtu në Himarë apo janë përfshirë në këtë proces sot marrin përfundimin e procesit dhe askush nuk është pa hipotekë në shtëpi“, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri Rama njoftoi projekte të reja për përmirësimin e jetës së banorëve të Himarës.

“Jemi duke diskutuar për një projekt madhor për një parkim të madh nëntokësor pranë fushës së sportit, që do të akomodojë një numër të madh automjetesh,” tha Rama.

Rama foli edhe njëherë për bonusin e fundviti, por edhe atë të pranverës, duke theksuar se është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm të përfshirjes së pensionistëve në rritjen ekonomike të përgjithshme të vendit.

“Ky vit mbyllet me një akt të qeverisë për pensionistët, më vjen shumë mirë që si rezultat i rritjes ekonomike në i përfshimë pensionistët si i vetmi grup që nuk ka parë ndonjë gjë domethënëse nga rritja ekonomike.

Bonusi që u dha për këtë fundvit, i cili është një mbështetje shumë herë më e madhe sesa e viteve të shkuara është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm të përfshirjes së pensionistëve në rritjen ekonomike të përgjithshme të vendit.

Kemi caktuar edhe bonusin e pranverës, i cili  do të jepet përmes një fondi të hapur nga qeveria shqiptare për pensionistët në BSH. Ata me pension nën 200 euro do të marrin 100 euro bonus. Ndërsa për ata që e kanë mbi 200 euro do të marrin 50 euro bonus”,  u shpreh nder te tjera Rama.