Flamur Noka, sekretar i Përgjithshëm i PD-së, u pyet nga Ylli Rakipi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për lajmet që kanë qarkulluar lidhur me hetimet e SPAK ndaj tij për pasurinë. Noka u shpreh se nuk kishte dijeni për një hetim dhe se i merr ato për të qeshur. Ai shtoi se nuk bie pre e “presionit”.
Flamur Noka: Unë e marr me të qeshur këtë gjë.
Ylli Rakipi: Me të qeshur e me të ngjeshur është kjo punë…
Noka: Ditën që u bëra gjyqin Dumanit në Komisionin e Ligjeve, atë ditë i nxorrën media atë thashethem. Tani unë nuk e di, jam i hapur të më thërrasin kur të duan. Jam i hapur. Unë disponoj një makinë që është e Bankës Credins që e kam marrë të gjithën me kredi. Disponoj një apartament që është marrë me kredi nga Enti i Banesave, është shitur, është paguar taksa dhe është blerë tjetri dhe nuk e disponoj unë por Enti i Banesave. Flamur Noka ka vetëm telefonin dhe rrobat e trupit. Për apartamentin kam 16 vjet që paguaj kredi, për makinën kam 9 vjet, kam edhe një vit kredi. Ky është Flamur Noka dhe prandaj nuk ma ndjen për asgjë. Për sa kohë s’i kam futur gishtin në xhep askujt në këtë tokë, unë jam shumë i qetë, as dua t’ia di dhe nuk stepem dhe nuk ndalem kurrë. Këto forma primitive presioni unë i kuptoj. Pse? Hapen për të marrë peng. Kështu kanë marrë peng edhe Lulin, edhe këtë që nxora nga foltorja. Unë nuk merrem peng. Ky jam unë dhe do të vazhdoj.