Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i Partisë së drejtuar nga Sali Berisha, ka konfirmuar se po hetohet për pastrim parash, duke akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, në mënyrë të ngjashme siç ka vepruar dhe vetë Sali Berisha.
“Edhe çështja që më është hapur mua, apo kolegëve të tjerë nga SKAP-i i partisë, ishte tentativë për të marrë peng. Ishte tentativë për të më marrë peng. Por nuk merret peng Flamur Noka. Flamur Noka nuk merret peng sa të jetë gjallë. Ata janë të qartë tashmë”. Këtë deklaroi dje Flamur Noka, duke sulmuar Dumanin.
Por në fakt, nuk ia ka fajin Dumani. Akuzat për pastrim parash dhe lidhje me krimin, ia ka bërë dora vetë, Gazment Bardhi, në parlament, si atij si Sali Berishës.
Gazmend Bardhi, nënkryetari i Partisë së drejtuar nga Berisha, e ka akuzuar publikisht Flamur Nokën në parlament një vit më parë, për fshehjen e një vile me vlerë 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit. Këto vila, përfshirë ato të Berishës dhe Nokës, u ndërtuan në kohën kur Berisha ishte në pushtet. Ishte pikërisht Sali Berisha, në cilësinë e kryetarit të KKRT-së, që miratoi lejet ndërtimore.
Në tetor 2022, Gazmend Bardhi ishte shumë i ashpër, në akuzat e tij ndaj Flamur Nokës. Ai e denoncoi publikisht për lidhje me krimin e organizuar dhe pastrim parash me origjinë nga trafiku i drogës. Në fjalimin e tij në parlament, Bardhi deklaroi:
“Mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i Brendshëm, mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajtshme, me të cilin ti rri shpesh për dreka e darka. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge more në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar”.
Ndërkohë, Sali Berisha është shpallur “person non grata”, edhe nga Britania e Madhe, pikërisht për lidhjet e tij me eksponentë të krimit të organizuar. Ndaj Flamuri duhet ta sqarojë njëherë me “Gazkën” këtë punën e pasurisë dhe vilave, se me Dumanin dhe SPAK, duket se ka kryer punë./Alfapress.al