Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se sapo ta marrë detyrën do ta urdhërojë Departamentin e Drejtësisë që të “zbatojë fuqishëm” dënimin me vdekje për të mbrojtur amerikanët nga “dhunuesit, vrasësit dhe monstrat”.
Me një postim në rrjetin e vet social “Truth Social”, Trump iu përgjigj deklaratës së djeshme të presidentit në largim Joe Biden i cili bëri të ditur se kishte ndryshuar dënimet me vdekje për 37 nga 40 të burgosurit me burgim të përjetshëm.
“Sapo të marr detyrën (20 janar), do të urdhëroj Departamentin e Drejtësisë që të zbatojë me forcë dënimin me vdekje për të mbrojtur familjet dhe fëmijët amerikanë nga dhunuesit, vrasësit dhe monstrat”, ka thënë Trump.
Gjatë mandatit të parë presidencial, nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trump riktheu ekzekutimet për krime në nivel federal, pas ndalimit prej gati 20 vjetësh.
Biden, i njohur si kundërshtar i dënimit me vdekje, ndaloi ekzekutimet në nivel federal kur mori detyrën në janar 2021.