NGA PËLLUMB NAKO
Edhe manifestimi i mbrëmshëm i opozitës, i quajtur “mosbindje civile”, edhe përgjigja e shtetit ndaj tij, shfaqën përsëri skenarë të njohur, të pandryshuar dhe të përdorur prej dekadash në realitetin social shqiptar. Fatkeqësisht asgjë e re. Përplasje forcash të kundërta, të cilat janë ngurosur në barrikada, ku njëra palë kërkon demokraci se e ndjen atë të cunguar dhe tjetra, në mbrojtje të demokracisë, sepse e konsideron prishje të rendit publik. Në skena të tilla që përsëriten e përsëriten prej dekadash, duket qartë që asnjë standard demokratik nuk po ndërtohet e jo më të konsolidohet.
Palët në konflikt sjellin në medie e rrjete sociale pamje videosh provokative për t’i treguar opinionit të gjerë publik se kush ka të drejtë e kush jo. Kush ushtron më shumë dhunë e kush më pak. Beteja më pas vazhdon nëpër studio televizive me të njëjtin qëllim, kush ka të drejtë e kush jo. Edhe vetë opinionistët japin argumente pro dhe kundër. Sherr me dëshmitarë. Gjithçka zhvillohet në kundërshtim me rrugën e konsolidimit të vetë demokracisë në vend. Rrugë këto me karakter ligjor, të cilat mundësojnë që të arrihet një standard i shëndetshëm në fushën e manifestimeve publike, në shërbim të lirisë dhe demokracisë. Videot provokative, përplasjet, opinionistët nuk kanë dhe nuk mund të kenë tagrin e ndërtimit të “së drejtës për tubim”.
Në kontekstin e “së drejtës për tubim”, opozita nga ana e saj, si më e interesuara për të pasur sa më shumë hapësira për të manifestuar pakënaqësinë e saj ndaj qeverisjes, duhet të ketë prirjen e fortë për të pasur ligjet e duhura të qarta dhe sidomos jurisprudencë të bollshme në raport me lirinë e manifestimit. Kjo sepse në këtë mënyrë, ajo do të gjente mundësi më të shumta për të ushtruar aksionin e saj antiqeveritar dhe vetë shoqëria shqiptare në tërësi do të gëzonte një standard të qartë të kësaj të drejte.
Përballë bollëkut të jurisprudencës shqiptare dhe të asaj të organizatave ndërkombëtare për të drejtat themelore, shkeljet e mundshme ligjore do të ishin më të dukshme. Opozita shqiptare tashmë e ka kaluar dekadën në këtë pozicion dhe ajo ka organizuar mjaft e mjaft manifestime proteste. Ndërkohë, ajo është edhe pjesë e parlamentit. A ka marrë opozita deri më sot nisma ligjore për garantimin sa më të qartë të së drejtës për manifestim? Madje në këtë drejtim nuk shkëlqejnë as organizatat e panumërta joqeveritare. Kjo, sepse nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në botën e civilizuar që administrata qendrore dhe lokale e vendit të ketë për tendencë të ngushtojë vendet ku mbahen manifestime. Ato nuk e preferojnë prishjen e qarkullimit rrugor të mjeteve apo këmbësorëve. Aktet e tyre kanë karakter administrativ, të lidhura me sigurinë publike, ndërkohë nga ana tjetër dihet se qëllimi i vetë manifestimit të protestës është pikërisht të turbullojë rendin publik për të tërhequr vëmendjen dhe të flasë më zë të fortë.
Atëherë si duhen trajtuar këto dy tendenca të kundërta?
Ato që këto kohë të fundit po quhen “bllokime rrugësh”, nuk janë të parat që organizohen. Dhe janë militantët e partive, ata që e paguajnë më shtrenjtë këtë mënyrë proteste. Përveç denoncimeve politike nëpër ekrane apo manifestimeve para komisariateve, a ka marrë opozita nisma ligjore për t’u ankuar në të gjithë shkallët e drejtësisë shqiptare, deri në Strasburg e të sqarojnë nëse manifestimi i protestës në rrugë e sheshe ku qarkullojnë automjetet është shkelje ligjore? Nëse deri më sot një fakt i tillë quhet shkelje ligjore, përdorimi i forcës nga ana e policisë nuk është në kundërshtim me ligjin, ose më saktë me mënyrën se si kuptohet ligji dhe nuk është ky organ që ka për tagër marrjen e nismave ligjore për të drejtën e manifestimeve të protestës. Një opinionist mund edhe të thotë se e drejta për të manifestuar në hapësirat publike është një e drejtë themelore, e parashikuar nga Kushtetuta, kurse e drejta për qarkullim me automjet nuk është e drejtë kushtetuese. Kjo do të thotë se në raport me njëra-tjetrën, përparësi ka e drejta për të manifestuar. Ndërkohë, krahas së drejtës së qarkullimit me automjete, është edhe e drejta për qarkullim e këmbësorëve. Edhe kjo i nënshtrohet të drejtës për manifestim. Ndërkohë, ndarja e rrugës për qarkullim automjetesh nga trotuare për qarkullimin e këmbësorëve bëhet për arsye të sigurisë publike dhe jo si të drejta të mbrojtura nga Kushtetuta. Pra, bëhet për arsye sigurie. Këtu problemi komplikohet, pasi kjo përplasje e të drejtave lind prishjen e rendit publik, pasi rrezikohet edhe jeta e manifestuesve, edhe e drejtuesve të automjeteve. Në një kontekst të tillë, natyrshëm ndërhyn shteti.
Cila është natyra e ndërhyrjes së tij?
Ai përdor forcën për të larguar manifestuesit, sepse po pengojnë trafikun, pra po prishet rendi publik. Pra, i jepet përparësi sigurisë publike. Ndërsa diku tjetër, në vende me demokraci më të përparuar, shteti ndërhyn për së siguruar manifestimin dhe devijon trafikun rrugor duke i dhënë përparësi manifestimit. Por këto koncepte nuk japin dot zgjidhje kur ato thuhen nëpër studio televizive apo nëpër gazeta. Pyetjet e dilemat e mësipërme duhet të gjejnë përgjigje nga kolegje gjykatash kompetente. Janë ato që duhet të shprehen nëse manifestimet e protestës kanë karakter antiligjor nëse zhvillohen në sheshe e rrugë ku ka qarkullim automjetesh.
Është drejtësia që nëpërmjet jurisprudencës së saj, i jep rrugë mënyrës se si duhet që autoritet e administratës të menaxhojnë manifestimet dhe trajtimin e tyre me përparësi si një e drejtë themelore. Por që të shprehen, duhet dikush t’u adresohet autoriteteve ligjore në fjalë. Dhe i takon opozitës më shumë të atakojë këtë problem, madje dhe OJF-ve. Në rast se do t’u referoheshim eksperiencave të disa vendeve me demokraci solide, jurisprudenca është e plotë dhe e qartë. Sipas Gjykatës së Apelit të Kanadasë, “rrugët kanë për funksion të përditshëm lejimin e qarkullimit të automjeteve, të çiklistëve dhe këmbësoreve, por ato janë njëkohësisht hapësira për tubim e manifestim kolektiv të domosdoshme për ushtrimin e lirisë për manifestim paqësor”.
Më pas, vazhdohet më konkretisht: “Ndryshimi i përkohshëm nga përdorimi i zakonshëm i rrugës është një pasojë normale dhe nuk përbën pengim për përdorimin e një hapësire publike”. Kurse reporteri special për Kombet e Bashkuara, nga ana e saj thotë: “Në një shoqëri demokratike, hapësirat urbane nuk janë vende vetëm për qarkullim, por edhe vende për pjesëmarrje në tubime”. Ndërsa në vende të tjera demokratike si psh., Franca, koncepti “bllokim rruge”, në jurisprudencë nuk quhet rasti kur ka individë që manifestojnë në të, por kur në rrugë vendosen automjete apo materiale inerte si gomat e makinave që bllokojnë si qarkullimin e mjeteve, edhe atë të këmbësorëve. Nëse opozita do të ndiqte shkallët e gjyqësorit dhe do t’i drejtohej direkt Strasburgut për interpretim, me siguri manifestimi në sheshe publike ku ka qarkullim automjetesh, do të interpretohej si një e drejtë themelore që nuk lidhet me mosbindjen civile, por një manifestim normal.