Redaksionale
Pak më shumë se 4 muaj kanë mbetur nga dita kur shqiptarët do të shkojnë tek kutitë e votimit. Presidenti i Republikës ka dekretuar 11 majin si ditën kur do të zgjidhen deputetët e Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë, përfaqësuesit e rinj të qytetarëve. Opozita e veçanërisht Partia Demokratike ka qenë e përçarë dhe me keq akoma u fut në një sherrnajë (e cila ende nuk është fikur), matje forcash deri ne konflikt, kërcënime që çuan në çarje jo të vogël të forcës më të madhe opozitare në vend. Nuk pati vend për mendje të ftohta, për të gjykuar se mbështetësit iu shkojnë pas sepse duan që forca e tyre politike të fitojë dhe qeverisë Shqipërinë.
E kundërta ndodhi, gjyq pas gjyqi, deklaratë pas deklarate, status pas statusi në rrjetet sociale, angazhim mbështetësish për te treguar kush është më i fortë në opozitë, por ama një gjë u harrua: Matja e forcave me pushtetin, rrëzimin e një qeverie ku po drejton keq Shqipërinë dhe shoqërohet skandal pas skandali. Fal këtij konflikti në PD, rrjedhimisht ky infeksion preku dhe opozitën në tërësi, kurse Rama dhe mazhoranca ka patur dhe ka kohë të rikuperojë skandalet. Po në PD përse nuk ndodh që të gjykohet ftohtë, të analizohet hollë për të patur vetëm një qëllim të gjithë opozitarët bashkë me figura të spikatura politike që vijnë si profesionistë nga fusha të ndryshme, me një program solid dhe mbështetjen e aleatëve tanë perëndimore të rrëzojnë këtë regjim që duhej të mos vazhdonte më. Ky reflektim veçmas duhej të vinte pas deklaratës së Yuri Kim teksa iu kujtoi barin demokratëve dhe opozitarëve nëse nuk do të ndiqnin kursin euroatlantik.
I vetmi që në çdo dalje televizive, konferencë shtypi, status në rrjetet sociale, analizë, që ka gjykuar ftohtë duke qëndruar jashtë konfliktit të brendshëm ka qenë Agron Duka, deputet dhe Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste. Me modestinë që e karakterizon, me burrninë që rrallë e gjen në politikën shqiptare ose hiç fare, shpeshherë ka bërë thirrje për zgjidhje të qëndrueshme në opozitë, ulje në tavolinë të protagonistëve dhe jo thjesht kurimin, por për t’i bërë kirurgji plagës në PD dhe opozitë.
Agron Duka një biznesmen i suksesshëm, por dhe një politikan i sprovuar i cili ka ditur të mbijetojë në këtë tranzicion fal një qasje të qartë tek elektorati dhe të parit sy më sy të qytetarëve, ka qenë tejet konkret. Ka kërkuar bashkimin e votave opozitare, maksimalizimin e tyre, organizimin e partive nën një obrellë me qëllim që qytetarët të bindeshin që projekti opozitar është serioz dhe duhej përqafuar. Askush nuk dyshon faktin që opozita dëshiron fitoren, por duhen gjetur rrugët dhe mjetet ta arrish atë kur e do. Nuk vihet në pushtet me sharje ndaj njëri-tjetrit, mosbesim, mallkime, kërcënime, përjashtime. Kjo është mëse e sigurt, sepse një situatë e tillë nuk frymëzon. Ajo për çfarë ka nevojë është bashkimi i të gjithë opozitarëve nën një lidership të besuar të pakompromentuar dhe personazhe që janë të lidhur me komunitetin dhe kanë impakt tek qytetarët. Vetëm kështu mund të kapërcehet gardhi i militantëve dhe kalohet tek pjesa gri e shoqërisë dhe pas të marrësh pas vetes edhe qytetarë me bindje të majta të pakënaqur me pushtetin. Që kjo të ndodh, nevojiten dhe reflektime, heqje dorë nga ca ofiqe politike. Meqë përmendëm më lart kreun e PAA Agron Duka, ai e ka deklaruar që pranon çdo zgjidhje, mjaft që opozita të kthehet në një alternativë të besueshme që ta çojë në pushtet. E pikërisht, është kjo ajo që duhet të ndodh sot. Ndonëse formalisht flitet për një bashkim të opozitës, kjo ende nuk ka ndodhur për faktin se shumë segmente opozitare janë ende jashtë atij bashkimi që mund të shpresosh që të kthen në pushtet. Sot formalisht flitet për një bashkim të opozitës, por ka vetëm fjalë, sepse PD ndodhet në rrugë, e partitë e tjera që sot janë gati të bashkohen në koalicion presin të dinë çfarë do të ndodh më ta. Bashkimi deri më tani mbetet vetëm retorikë kur kemi parasysh faktin që asnjë forcë politike që besohet që do t’i bashkohet PD së Sali Berishës nuk ka një letër mbi të cilën të ketë konkretizuar aksionin politik për 2025. Madje për ta vërtetuar këtë mund të sjellim si rast dhe deklaratën e zyrtarit të PL konkurrentit për President Partie i cili tha se: – “Ilir Meta do të jetë kandidat për kryeministër”.
E ndërsa kësaj opozite iu deshën 4 vite sfilitje për të ardhur ende teorikisht tek fjala e kreut të PAA Agron Duka, duke u vetkonsumuar jo pak, sërish praktikisht nuk ka asgjë konkrete. Është tejet vonë ndaj duhet mundësuar në terren ai bashkim që ka kërkuar Agron Duka, nëse dëshiron dhe shpreson të vish në pushtet. Ndaj nevojitet konkretizim i asaj që z.Duka ka kërkuar prej vitesh që e njëjta fjali ripërsëritet nga kryetari i PD e të tjerë zyrtarë, por që teksa viti 2024 iku, kemi zero produkt. Presim vitin 2025 meqë është dhe viti elektoral!