Nga Bahri Cani
Gazetar i DW
Për shkak të pyetjeve të shutma që më keni dërguar dhe disa paqartësive ja shpjegimet kryesore edhe me shkrim (në video i keni pak më poshtë në këtë kanal): Pas humbjes së shumicës nga qeveria dhe shkarkimit të Bundestagut ka dështuar përfundimisht edhe projektligji i qeverisë për reformën sociale, i cili parashikonte heqjen e Kindergeld dhe futjen e asaj që quhej Kindergrundsicherung, pra një lloj garancie bazë për fëmijët. Kjo reformë parashikonte bashkimin në një vend të Kindergeld, Kinderzuschlag, Bürgergeld dhe ndihmave të tjera për fëmijë. Po i shkruaj në gjermanisht, sepse ata që jetojnë në Gjermani dhe marrin këto ndihma e keni më lehtë të kuptojnë për çfarë e kam fjalën. Pra kjo reformë sociale NUK do të bëhet, sepse qeveria ka dështuar me këto plane.
Po çfarë ndryshimesh priten: Kindergeld (shtesat mujore për fëmijë) do të rriten nga 250 në 255 euro në muaj në vitin 2025, ndërsa në vitin 2026 do të jenë 259 Euro në muaj (që është një rritje tepër e vogël, sepse vlera reale e shtesave ka rënë për rreth 40% …). Sidoqoftë, kjo është rritja që vjen. Kinderzuschlag (pra ndihmat për familjet me të ardhura më të vogla ka qenë 292 tani do të jenë 297 euro, thuhet në shpjegimet e fundit.
Ndërsa ndihmat sociale, ajo që quhet Bürgergeld, nuk do të ndryshojnë fare këtë vit, pra mbeten të njëjta. Këto janë vendimet e deritanishme, e nëse ndryshon diçka, kjo varet edhe nga qeveria e re që do të krijohet pas zgjedhjeve që mbahen me 23 shkurt.