“Edhe ju e quani SPAK-un organizatë kriminale, që keni çuar denoncime aty?”, Lala debat me Këlliçin

0
262

Analistët e pranishëm në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV debatuan me drejtuesin politik të PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, për sulmet e opozitës ndaj SPAK-ut, ndërsa ai ka çuar në SPAK disa denoncime për Veliajn dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës. 

Pjesë nga biseda

Klodiana Lala: A e konsideroni edhe ju SPAK si organizatë kriminale? Se për denoncimet tuaja ka firmosur urdhër arreste?

Belind Këlliçi: Jo të gjithë prokurorët janë të kapur dhe ndikuar politikisht. Në rastin e 5D ka patur tjetër ritëm hetimi. Unë e kam denoncuar në fushatë elektorale kompaninë 5D. Nëse SPAK do të vepronte në mënyrë të menjëhershme do të kishim tjetër histori edhe për zgjedhjet edhe për masat. Sot që flasim, janë tre drejtorë kryesorë të Bashkisë Tiranë prapa hekurave, por personi kryesor, titullari, pronari i hotelit 50 mln euro, që e thotë punonjësja që është Lali Eri, ende rezulton pa asnjë masë dhe nuk është pjesë. Ka një fraksion dhe nuk e di a është Veliaj pjesë e atij hetimi, apo Mazniku, por unë jam nga ata politikanë që kur Mirel Mërtiri goditi prokurorin Klodian Braho, unë të nesërmen e kam mbrojtur, pa e njohur fare.

Klodiana Lala: SPAK ka problematika, ka bërë edhe gjëra të mira, këtë do ta vendosë koha, por ju flisni për organizatë kriminale. Si ka mundësi që PD nuk ka bërë asnjë kallëzim ndaj prokurorëve të SPAK kur ju pretendoni se keni prova se ata janë të inkriminuar?

Belind Këlliçi: Në dosjen e Elbasanit, gjyqtarja ka shkruar gjithçka dhe materialin referues, ku një prej prokurorëve është edhe Dritan Premçi e kemi cuar në ILD që drejtohet nga ish-drejtori juridik në Kryeministri dhe as nuk e morën në shqyrtim. Pra krahas kritikave publike kemi ndjekur edhe rrugën ligjore, as e morën në refene.

Klodiana Lala: Nëse keni prova konkrete, rruga e duhur është t’i drejtoheni prokurorisë. Ka pafund prokurori që nga Kukësi deri në Sarandë që një prokuror mund të nisë një hetim. Gjurmët duhen lënë aty. Çështje shumë të rëndësishme kanë derivuar nga e shkuara.

Belind Këlliçi: Për shkak të këtij mentaliteti, kemi nisur edhe serinë e denoncimeve që kam kryesuar unë për inceneratorin e Tiranës dhe 5D. Kam depozituar në SPAK mbi 2200 fletë me prova dhe dokumenta. Ka patur një lëvizje në raport me 5D dhe po ta them. Por boll skandali i sotëm i Taulant Ballës, dhe e dimë prej muajsh që janë fshirë fashikujt, të tregon se ke prokurori të kapur.

Ergys Mërtiri: SPAK ka goditur bandën e Suel Çelës.

Belind Këlliçi: Ku e pe ti se u godit? Kush është ndaluar?

Ergys Mërtiri: Nuk ndalon SPAK, ndalon policia.

Andi Tela: Ka patur një grup të moderuar të PD që mbështesnin SPAK. Tani ligjërimi publik është Berisha dhe dëgjojmë “SKAP, Dumani i nënshtruar, bandë kriminale, etj”. Tani kjo retorikë, ju përkthehet në vota apo në bumerang?

Belind Këlliçi: Askush nuk ka dashur të bëjë miting para SPAK dhe të mblidhej në 6 janar para SPAK. U detyrua PD pasi kishte vendimarrje normale nga gjykata e shkallës së parë, hetimi mbaroi, u rikthye në normalitet, në momentin që u detyrua apeli për të marrë vendim për barazpeshë politike, i bie që ka ndërhyrje politike.

Andi Tela: Ky sulm a ju kthehet në vota?

Belind Këlliçi: Kur flitet me fakte dhe prova qytetarët dinë ta bëjnë diferencën. Ajo që ka ndodhur me zotin Berisha që ka publikuar fakte të pakontestueshme për përfshirjen e Taulant Ballës me krimin e organizuar në Elbasan, kjo e ndihmon PD.