E ekzekutuan për martesën e prishur të së motrës, si dy vëllezërit futën në kurth Ramazan Matajn! Arjon dhe Klisman Hasaj i dërguan SMS viktimës me profilin fals të një vajze, detaji që “tradhtoi” autorët

0
124

Atentati i mbrëmjes së të shtunës ka nxjerrë në pah një histori të trishtë mes dy familjesh, banore të të njëjtit fshat. Ramazan Mataj, i riu 33-vjeçar është ekzekutuar për një histori dashurie, që dyshohet se kishte me njërën nga vajzat e fshatit.

Kanë qenë vëllezërit e saj, ata që kanë hartuar planin e ekzekutimit, e kanë kryer dhe më pas kanë mundur të fshehin armën e krimit. Por, dy djemtë kanë lënë gjurmë në bisedën e fundit që kanë kryer me viktimën e tyre, i cili është provokuar me profilin e një vajze, profil që e ka bërë të dalë nga banesa pasditen e 4 janarit, për të mos u kthyer më i gjallë.

Por, policia dhe grupi hetimor që kanë mundur të hedhin dritë mbi atë ngjarje të rëndë dhe shkatërruese për dy familjet postribase, kanë treguar se autori i vrasjes është Arjon Hasaj, 29 vjeç, ndërsa i gjithë plani është thurur nga djali i vogël i familjes Hasaj, Klismani, vetëm 20 vjeç.

Gjithçka ka marrë shkas nga dyshimet që ata kanë pasur se njëra nga motrat e tyre, e cila kishte kryer dy martesa dhe ishte ndarë, ishte e lidhur me Ramazanin. Për këtë shkak, ata kanë mundur ta nxjerrin në pritë 33- vjeçarin, duke i folur në emrin e një vajze që kishte ardhur në fshatin e tij te tezja e saj.

I ka përcaktuar edhe vendin ku do të takoheshin, ndërkohë që Ramazani i është bindur ftesës, por atje ka qenë duke e pritur Arjoni me armë, i cili ka qëlluar me breshëri mbi të. Policia dhe prokuroria kanë mundur të kapin një pamje filmike të autorit, duke lëvizur me një biçikletë, e vetmja pamje që është përftuar nga i gjithë itinerari i përshkruar nga 29- vjeçari, i cili ka menduar se nuk do të kapej në asnjë moment.

Mirëpo dëshmitë e shumta të mbledhura në fshat, duket se kanë hedhur hije dyshimi mbi historitë e njohura mes tyre, çka ka çuar edhe në identifikimin e shpejtë të autorëve të krimit.

REAGIMI I KRYEPOLICIT TË SHKODRËS

Detajet e operacionit i ka bërë me dije kryepolici i qarkut Shkodër, Fatmir Lleshaj, i cili ka hedhur dritë mbi dinamikën e krimit të rëndë që tronditi vendin. Sipas tij, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, vijoi punën në mënyrë intensive për të gjetur dhe fiksuar prova materiale që do t’i shërbenin hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i një hetimi intensiv disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.

Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit. Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës. NIKOLETA KOVAÇI/ Panorama