Basha: Premtimi i Ramës për energjinë, ashtu si 12 vite më parë, është thjeshtë mashtrimi i radhës për votën me 11 maj

0
90

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për dështim të përsëritur në mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve.

Në një postim në facebook, Basha ka renditur një sërë premtimesh të pambajtura, si punësimi, shëndetësia falas, ulja e çmimit të energjisë dhe garantimi i rendit e sigurisë. Sipas tij, këto premtime janë kthyer në zhgënjime për shqiptarët, ndërsa qeveria i ka dhënë përparësi oligarkëve dhe interesave të ngushta.

Duke iu referuar premtimit të Ramës për uljen e çmimit të energjisë, Basha e cilësoi atë si një mashtrim të radhës për të siguruar vota në zgjedhjet e 11 majit. Ai shtoi se pas zgjedhjeve gjithçka do të kthehet si më parë, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

“Shqipëria nuk është pronë private e Edi Ramës. Shqipëria meriton më shumë,” përfundon Basha.

Postimi i plotë i Bashës:

Para çdo palë zgjedhjesh, Edi Rama u premton qytetarëve parajsën, por pas zgjedhjeve ka ndodhur e kundërta:

Premtoi punësim, por përzuri shqiptarët drejt emigrimit;

Premtoi shëndetësi falas, ndërsa sot 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve;
Premtoi legalizime, por u vendosi tritolin;

Premtoi ulje të çmimit të energjisë, por e rriti atë, burgosi dhe shtyu drejtë vetëvrasjes qytetarët që nuk kishin mundësi të paguanin;

Premtoi rend dhe siguri, por u’a dorëzoi qeverisjen kriminelëve, kanabizoi vendin dhe e shndërroi në lavatriçe të pastrimit të parave.

Edhe sot, premtimi i tij për energjinë, ashtu si 12 vite më parë, është thjeshtë mashtrimi i radhës për të marrë votën me 11 maj.

Pas zgjedhjeve, gjithçka do të kthehet si më parë: favore për miqtë dhe oligarkët, ndërsa për qytetarët vetëm ndëshkime.
Shqipëria nuk është pronë private e Edi Ramës.

Shqipëria meriton më shumë