Pas legalizimit të pronës, ja hapat për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë! Tri dokumentet që duhet të ngarkohen në “e-Albania” për të marrë hipotekën

0
155

BESARTA BASHA/ Duke qenë se për disa muaj fokusi i qeverisë, bashkive apo organeve të tjera kadastrale nuk mund të jenë legalizimet për efekt elektoral, fokusi është zhvendosur te regjistrimi i pronave.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës apelon qytetarët që janë pajisur me leje legalizimi të bëjnë hipotekimin e plotë të pronës, duke kujtuar edhe hapat që duhet të ndjekin për të kopsitur dosjen.

REGJISTRIMI I PRONES

Marrja e lejes së legalizimit është vetëm hapi i parë drejt fitimit të së drejtës së pronësisë. Për t’u bërë pronar juridik i pasurisë që e kanë gëzuar deri më tani, pa e pasur në pronësi ligjërisht, qytetarët që marrin lejen duhet të aplikojnë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të siguruar tri dokumentet të tjera që vërtetojnë pronësinë.

“Nëse keni marrë një vendim legalizimi për objektin tuaj, regjistrimi i tij është një hap i rëndësishëm që ju mundëson: Pajisjen me certifikatë pronësie, marrjen e kartelës së pasurisë, kopjen e fragmentit të hartës kadastrale. Në lidhje me procedurën e aplikimit, ashtu si shumica e shërbimeve të tjera, procedohet ‘online’. Mjafton të hyni në portalin qeveritar www.e-albania.al dhe zgjidhni shërbimin: ‘Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim gjykate, apo të një akti administrativ’. Automatikisht përzgjidhet shërbimi i dëshiruar pasi shfaqen tri opsione: lëshim certifikatë pronësie, lëshim kopje kartelë pasurie apo lëshim kopje e fragmentit të hartës kadastrale. Hapi i radhës është shkarkimi i mandatit të pagesës, e cila mund të kryhet ‘online’ në e-Albania, në çdo pikë të Postës Shqiptare, apo çdo dege të një banke të nivelit të dytë”.

Ndërsa aplikimin për regjistrimin e vendimit qytetarët mund ta kryejnë vetëm pas 30 ditësh nga njoftimi për miratimin e tij dhe sigurisht, pasi të kenë shlyer detyrimet e tarifave dhe taksave vendore. Përfitojnë skonto ata që kanë kryer rregullisht pagesën e dritave apo i përkasin kategorive më vulnerabël.

LEGALIZIMET

Sipas statistikave të deritanishme nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, afro një e katërta e banesave në vend rezultojnë të palegalizuara. Me një vendim qeverie të para gjashtë muajve, ka nisur përshpejtimi i procesit të legalizimeve, i cili gjithsesi bllokohet vetëm pak ditë më vonë, në 11 janar.

Qeveria e ka të pamundur të japë çfarëdolloj leje, legalizim apo bonus në këtë periudhë fushate elektorale, pasi konsiderohet shkelje e Kodit Zgjedhor. Duke sjellë në vëmendje afatin 2028 për përfundimin e procesit të legalizimeve, Kadastra po shikon si mundësi unifikimin e praktikave për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë.

Qëllimi kryesor i ASHK është që procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje të përmbyllet brenda afatit ligjor që është 2028, viti që do të shënjojë edhe vijën e kuqe sa u takon ndërtimeve pa leje. Por sa e mundur është përmbyllja e këtij procesi në afatet e përcaktuara deri në 2028?! Projekti për digjitalizimin e arkivës ka nisur në vitin 2022 dhe synohej të përfundonte në harkun e tri viteve.

Por, në strategjinë afatmesme të Ministrisë së Financës, vihet në dukje se nga 4.5 milionë pasuri vetëm 1.2 janë të digjitalizuara. Çfarë mbetet ende sfidë, po ashtu janë edhe problemet hartografike, që janë bërë në jo pak raste edhe shkak për mbivendosje. Në rastin e ndërtimeve pa leje, ligji përcakton, që kur për një objekt ka më shumë se një pretendim do të vijohen procedurat e legalizimit me atë që ka aplikuar më herët. Por, kjo nuk përjashton adresimin e çështjes në gjykatë dhe kjo ndodh kur për të njëjtën pasuri janë lëshuar disa tituj pronësie nga institucione të ndryshme.

Por, në asnjë rast duhet thënë, palët nuk janë të përjashtuara nga mundësia për të hyrë në një marrëveshje mes tyre. Kjo do të thotë që nëse palët duan ta zgjidhin konfliktin me anë të një marrëveshjeje, mund ta bëjnë këtë duke shmangur kësisoj edhe një proces gjyqësor që mund të zgjasë me vite.