Dy mesfushorët shqiptarë të skuadrës së Leçes, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, nuk po kalojnë një moment shumë pozitiv. I pari ka përfunduar në stolinë rezervave, ndërsa i dyti po vuan pasojat e një dëmtimi.
Për të dy këta lojtarë ka folur sot në konferencën për mediat trajneri Marko Xhampaolo, i cili është pyetur fillimisht nëse Berisha do të kthehej pas sfidës me Empolin, meqë nuk do të ishte i gatshëm për duelin e nesërm.
“Nuk e di. Deri më sot stërvitet i diferencuar. Nuk di të them kur kthehet”, tha ai, duke lënë të kuptohet se riaftësimi i lojtarit nuk dukej edhe aq i shpejtë sa mendohej në fillim.
Më pas, ai është pyetur rreth mosaktivizimit të Ramadanit dhe zërave për një largim të tij të mundshëm në merkaton e janarit.
“Ai nuk e ka ulur nivelin e tij në stërvitje. Nuk është i lumtur, pasi nuk po luan, por ka reaguar si një lojtar i pjekur. I bën gjërat mirë. Unë duhet të kem në kontekst karakteristikat e lojtarëve, nuk mund të luaj me tre mesfushorë qendre”, tha Xhampaolo, duke bërë të qartë se për momentin Ramadani ishte ai i sakrifikuari në skemën e skuadrës së tij.