“Për Kombëtaren vij me makinë nga India”, rrëfimi i Sadikut: Nuk shkoj më në festa, e bëja kur isha i ri me para

0
22

Armando Sadiku po vijon karrierën në Indi. Sulmuesi pasi luajti një sezon me Mohun Bagan, kaloi te skuadra e GOA-s. Si po shkon kjo eksperiencë, por edhe për rrugëtimin e tij në futboll si në rang klubesh, por edhe eksperienca me ekipin kombëtar, Armando i tregon në një intervistë për “In the stands”. Ndër të tjera, Sadiku bën një batutë të bukur, e cila nxjerr në pah dashurinë e tij për fanellën kuqezi. Ai thotë se nëse Silvinjo i bën një ftesë në mars, do të nisej me makinë nga India.

Cila është diferenca e GOA-s me ekipin ku ishit më parë?
Një diferencë tepër e madhe. Këtu ka një plazh. Moti është gjithmonë i mirë. Mund të marrësh frymë lirshëm.

E keni fjalën për ajrin, apo këtu ndiheni që mund të luani më lirshëm?
Gjithçka ndryshe. Nuk ka presion dhe të gjithë mundohen që të ndihmojnë ty. Këtu ndihet sikur është një atmosferë e një klubi europian. Ndihem i lirë dhe më mirë në fushë. Kam luajtur në disa vende të bukura në Spanjë, Malaga, Las Palmas, Kartagjena, Valencia. Kështu që ky plazhi këtu më kujton Spanjën.

Çfarë bën Sadiku në kohën e lirë?
Nuk shkoj në festa jo (qesh). Tani jam një person që pëlqej qetësinë. Kur isha më i ri shkoja e dilja me shokët jashtë. Isha i vogël, me para dhe vetëm. Tani jam në një fazë tjetër të jetës sime.

Pse u larguat nga Mohun Bagani?
Ka qenë një mbledhje me klubin. Nuk ishte nga ana ime, por ata kërkonin që të firmosnin me një sulmues të ri. Kështu pas shumë negociatave, vendosa të vij në GOA. Shumë njerëz më kanë folur mirë për këtë klub.

Jeni i lumtur në Indi?
Po, jam i lumtur. Në fillim ishte pak e vështirë për mua. Përpara se të vija, pashë disa ndeshje të kampionatit. Mendova: do shkoj atje dhe do t’i shkatërroj, por ishte e vështirë. Nuk mund ta harroj ndeshjen e parë këtu. Ka qenë shumë vapë, ndoshta 39 gradë. Një moment nga minuta e 20-të mendova: O Zot, çfarë dua në këtë vend? Por stadiumi ishte plot, 60 mijë persona. Ishte shumë nxehtë dhe në pjesën e dytë nuk mund të vrapoja më. Pastaj hap pas hapi u përmirësova. Kur i sheh lojtarët indianë janë të dobët nga fiziku, por ata mund të vrapojë 90 minuta me një intensitet të lartë.

Kam dëgjuar se keni marrëdhënie të mira me vëllezërit Xhaka?
Po, ne jemi kushërinj. Nuk kam luajtur me ta kur ishim të vegjël, por kur u rritëm ishim me Taulant Xhakën në Kombëtaren shqiptare, luajtëm bashkë për 10 vite. Ndërsa me Granitin kam luajtur kundër, kur ai ishte te Basel. Nuk kemi kaluar shumë kohë sepse ata u rritën në Zvicër dhe unë në Shqipëri.

Si shkon stërvitja te GOA dhe mund të luani sërish në Kombëtaren shqiptare?
Bëj gjithçka në stërvitje që të kthehem në ekipin kombëtar. Për shembull: nëse tani do të më thërriste Kombëtarja shqiptare, do të nisesha me makinë që këtu dhe jo duke fluturuar. Sepse e dua vendin tim dhe më pëlqen shumë kur luaj me ekipin përfaqësues. Kam folur dhe me djemtë që janë në skuadër. Të luash për Kombëtaren është ëndrra e çdo lojtari dhe nëse ke atë qëllim, duhet të punosh fort për ta arritur.

Mund të më përshkruani ndjesitë e të shënuarit një gol kundër Rumanisë në Europianin e 2016-s?
Po, ai gol më ndryshoi karrierën. Ishte ndeshja e tretë në grup. Unë luajta edhe kundër Zvicrës dhe Francës. Njerëzit filluan të thonin që duhet të ndërrohej sulmuesi. Por, isha i bindur se trajneri do e fillonte me mua ndeshjen sërish sepse po luaja mirë, por gjithashtu mendova nga klima që u krijua, ndoshta mund të më linte në stol. Kur pashë emrin tim, mendova që do të jap gjithçka dhe ia dola. Shënova dhe ne fituam 1-0. Ajo më ndryshoi gjithë jetën time dhe karrierën.