Kryeministri Albin Kurti kërcënohet në rrjetet sociale, policia e Prishtinës arreston autorin. Gjykata vendos masën e ndalimit prej 48 orësh

0
10

Policia në Prishtinë ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, i cili ka kërcënuar kryeministrin, Albin Kurti. 

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës bëri të ditur se kërcënimi i kreut të qeverisë është bërë në rrjetet sociale, në emër të një grupi të quajtur “Brigada Sever”. 

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, veprimet hetimore kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit, M. R. (mashkull kosovar, lindur në vitin 2004), i cili është arrestuar më 10 janar 2025 në Zveçan.

Mësohet se gjatë aksionit të policisë në shtëpinë e të arresutarit është gjetur një armë gjuetie pa leje. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka njoftuar se “pas përfundimit të marrjes së deklaratës, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.”

Hetimet për rastin do të vazhdojnë nën autorizimin e prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Arrestimin e M.R. e ka bërë të ditur edhe Veton Elshani, zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili ka thënë se “arrestimi është kryer për rast kanosje për interesa të krimeve të rënda në Prishtinë”.