Vakanca/ Zbardhen emrat,, kush janë kandidatët që garojnë për vendin e Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese

0
12

Afati 30-ditor për paraqitjen e kandidaturave për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, që lirohet nga Holta Zaçaj më 10 mars 2025, ka përfunduar të premten në mesnatë.

Në garë për këtë pozicion janë 11 kandidatë nga fusha e drejtësisë, duke përfshirë gjyqtarë, ish-anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe avokatë e juristë, raporton VNA.

Dy nga kandidatët që kanë shprehur interes janë komisionerët publikë Irena Nino dhe Florin Ballhysa. Kandidatë të tjerë janë Nurihan Seiti, ish-anëtare e KLP-së, dhe Alban Toro, ish-anëtar i KLGJ-së. Gjithashtu, Klodian Rado, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj kanë paraqitur kandidaturën e tyre.

Një emër i njohur në listë është Genta Bungo, ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që ka udhëhequr procesin e vettingut për gjyqtarë dhe prokurorë. Në garë është edhe gjyqtari Asim Vokshi.

Lista përfundimtare e kandidatëve do të bëhet publike të hënën dhe më pas emrat do të kalojnë për verifikim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili do të përgatisë renditjen finale.

Holta Zaçaj përfundon mandatin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese më 10 mars 2025, ndonëse ajo kundërshtoi largimin, duke argumentuar se mandati i saj përfundonte në fund të 2025.

Por, pas shpalljes së vakancës nga Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë, trupa e gjyqtarëve kushtetues vendosi për përfundimin e mandatit të Zaçajt, duke zgjidhur kështu mosmarrëveshjen mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.