Kanë dalë detaje të reja nga atentati që tronditi Tiranën mbrëmjen e kësaj të diele. 56-vjeçari i identifikuar si Bujar Nasufi u qëllua nga persona ende të panjohur në zonën e njohur si “Pallati me shigjeta”.
Sipas asaj që raportohet nga mediat viktima është qëlluar në makinën e tij përpara derës së shtëpisë. Mesa duket autorët e kanë pritur derisa ai është kthyer në banesë. Sapo ka ndalur makinën ai është qëlluar nga një person që mbante një kapuç në kokë dhe që lëvizte me një motor.
Burime në vendin e ngjarjes thanë se ai është qëlluar me të paktën 6 plumba. Më pas autorët kanë humbur gjurmët në zonën e Selitës. Veprimet e autorëve janë pikasur nga kamerat e sigurisë së zonës ku u krye vrasja, pasi aty pranë ndodhen një sërë biznesesh.
Hetuesit janë duke sekuestruar pamjet e tyre. Mister mbeten edhe motivet e ngjarjes. Nga hetimet paraprake, Nasufi që merrej me biznes, nuk rezulton me precedentë penalë, megjithatë, policia po heton disa pista për të zbuluar motivin e kësaj ngjarjeje kriminale.
Për momentin janë pyetur vetëm të afërmit nëse ai kishte ndonjë konflikt të hapur ndërsa forca të shumta policie janë parë në zonë me qëllim kapjen e autorëve.