Këto ditë janari rezulton se fëmijët e vegjël janë më të prekurit nga virozat e gripit dhe RSV.
Mjekët pediatër thonë se kryesisht janë fëmijë të kopshteve dhe çerdheve, të cilët kanë manifestuar temperaturë 39-40 gradë.
Virozat apo viruset që kanë prekur fëmijët dhe jo vetëm duken se po shfaqin simptoma më agresive.
Përveç fëmijëve të vegjël nuk mbeten pas edhe nxënës të shkollave të cilat janë prekur nga kjo situatë e ngarkuar.
Mjekët këshillojnë nënat të mbajnë fëmijët në shtëpi në këto raste. ISHP ka konfirmuar që përveç virozëve të shumta qarkullon virusi i gripit, RSV dhe Covid-19.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në rrethe. Në Gjirokastër rreth 120 persona në ditë rezultojnë të prekur nga gripi stinor të cilët paraqiten pranë qendrave shëndetësore dhe spitalit të Gjirokastrës për të marrë ndihmën mjekësore. Specialistët infeksionist shprehen së në këtë periudhë ka një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve të prekur nga gripi dhe virozat e stinës.
“Rastet në qytetin tonë të virozave të stinës këtë javë ka filluar një farë rritje e rasteve të paraqitura në të gjitha qendrat shëndetësore dhe në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës, por për momentin situata duke u nisur me vitet e tjera është më pak përhapja e viruseve stinore të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes”, thotë Noris Doraci, specialist i Shëndetit Publik në Gjirokastër.
Numri më i madh i personave të prekur janë fëmijët, mosha e tretë si dhe pacientët me sëmundje kronike.
“Grupmosha më e prekur është grupmosha që është aktive në punë por dëmtimet më të mëdha të gjitha viruset stinore përgjithësisht janë për moshën 0-5 vjeç dhe ajo mbi 60-vjeç sidomos njerëzit që kanë sëmundje kronike”, shprehet mjeku.
Në këto ditë me fluks të shtuar të virozave bluzat e bardha apelojnë për respektimin e masave parandaluese.
“Disa nga masat që duhet të marrim për parandalimin e përhapjes të të gjitha viruseve respiratore është marrja e vitaminave, marrja e sa më shumë lëngjeve, shmangia e vendgrumbullimeve sidomos nëpër spitale, tjetra është higjiena personale”, thotë mjeku.