Gjykata greke ka dënuar sërish shqiptarin Aleksandër Luca, i cili akuzohet për vrasjen dhe përdhunimin e studentes greke Eleni Topaoludi. Këtë herë, dënimi është një shumë e konsiderueshme monetare, shkruajnë mediet greke.
Organi i drejtësisë greke tha se Luca duhet të dëmshpërblejë me 905 mijë euro familjarët e Eleni Topaloudi. 19-vjeçari shqiptar ishte një nga dy personat që e vranë greken në nëntor 2018. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Njëanëtarëshe e Rodos, duke njohur ndikimin negativ të thellë mendor. ankthin dhe dhimbjen e pakapërcyeshme të të afërmve të viktimës.
Kujtojmë se krimi ndodhi në Pefki, Lindos, Rodos, ku dy autorët, një 19-vjeçar shqiptar në atë kohë dhe një 21-vjeçar grek, fillimisht dhunuan dhe torturuan Elenin për tre orë, më pas tentuan të fshihnin krimin, skenën dhe më në fund e çuan në një vend të izoluar. Aty ajo u hodh e gjallë nga një shkëmb në det, duke i shkaktuar vdekjen duke u mbytur, ndërsa tashmë ishte e plagosur rëndë dhe në gjendje gjysmë kome. Autorët u dënuan në mënyrë të parevokueshme, pasi u refuzua ankimi i tyre, me burgim të përjetshëm për vrasje dhe 15 vjet burg shtesë. Asnjë rrethanë lehtësuese nuk është njohur për ta.
Prindërit e Elenit, Ioannis Topaloudis dhe Kyriaki Armoutidou, vëllai i saj, gjyshja dhe të afërm të tjerë, iu drejtuan gjykatës civile, duke kërkuar dëmshpërblim për ankthin mendor që pësuan. Padia e tyre, e ngritur në bazë të nenit 932 të Kodit Civil, evidenton dhunën e paprecedentë të akteve, si dhe mashtrimin dhe metodikën me të cilën autorët tentuan të fshehin veprimet e tyre kriminale.
Kështu, gjykata detyron vrasësin dhe përdhunuesin shqiptar të paguajë shumat e mëposhtme:
-240.000 euro babait, Ioannis Topaloudis
-240.000 euro nënës, Kyriaki Armoutidou
-200.000 euro vëllait të Eleni Topaloudit
-100.000 euro gjyshes së Eleni Topaloudit
-100.000 euro trashëgimtarëve të gjyshit të Eleni Topaloudit
-25.000 euro për secilin nga dajat e Eleni Topaloudit.