Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laburatorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË PËLLUMB RUSTAJ, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHUT, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 8.6.1983, në Tiranë.
Ne, hetuesit e M. P. B., Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar:
- Emri, emri i babës, mbiemri: Pëllumb Myrto Rustaj.
- Datëlindja, (dita muaji, viti), 1961.
- Arsimi: Shkolla e Lartë e M. P. B.
- Vendbanimi: Rrëshen.
- Detyra: Oficer në Degën e Punëve të Brendshme Rrëshen.
- Anëtarësia në Parti: I paorganizuar në Parti.
- A është i dënuar: I padënuar.
- Numri i letërnjoftimit: Nuk e ka me vete.
- Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K. P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Pëllumb Rustaj
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë:
Kam qenë me detyrën e oficerit të shërbimit në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu, që nga viti 1978. Meqenëse nuk kam pat marrë shtëpi, flija tek dhoma e oficerëve, që ishte pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu.
Ne si oficerë të grupit të shoqërimit, në kuadrin e përgatitjes fizike dhe ushtarake, zhvillonim dhe ndeshje sportive.
Më datën 17 dhjetor 1981, në prani të oficerit Astrit Veliu, unë e kam pyetur Ali Çenon, nëse do të luanim ditën e nesërme, apo jo, kurse Ali Çeno më është përgjigjur mua: “Ti nuk e shikon nga sytë, se çfarë po bëhet”?!
Unë e pyeta Ali Çenon, se; çfarë po bëhet, por ai nuk më është përgjigjur, por më tha se; nuk do të luajmë. Këto fjalë Ali Çeno, m’i ka thënë mbasi është kthyer në mbledhja e Byrosë Politike, ku kishte shoqëruar Mehmet Shehun.
Mbas kësaj bisede me Ali Çenon, unë kam shkuar në Klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku kam ngrënë darkën dhe jam kthyer përsëri aty për të fjetur. Se kush ka qenë oficeri i shërbimit këtë natë, mua nuk më kujtohet, por mbaj mënd se këtë natë kanë fjetur aty Ali Çeno, Milto Kostaqi, Llesh Rroku, (i cili flinte aty për çdo natë) dhe një shofer.
Më datën 18 dhjetor 1981, unë jam ngritur nga gjumi rreth orës 06.’30. Rreth orës 6.’45, kam dalë dhe kam pirë kafe në një klub dhe kam shkuar në punë rreth orës 7.00.
Rreth orës 8.00, dëgjova që Vladimir Shehu, thirri në steriofon Ali Çenon dhe më pas mjekët, për të shkuar në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por deri në këtë kohë unë nuk kam marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.
Kur ka lajmëruar Vladimiri, unë kam qenë në bahçen e shtëpisë dhe kam kujtuar se Mehmet Shehu do të ishte i sëmurë. Më vonë erdhi shoku Xhule Çiraku. Që na e komunikoi ne vetëvrasjen e Mehmet Shehut……………………………………….!
Më pas, si kohë të saktë nuk e përcaktoj dot, Ali Çeno më caktoj mua dhe Rrapush Çelmetën me shërbim roje në qoshen e shtëpisë së Mehmet Shehut, ku kemi qëndruar rreth një orë dhe na kanë zëvendësuar të tjerë.
Mbas kësaj, unë kam shkuar dhe kam dorëzuar çelësin e dhomës ku mbaheshim armët e Mehmet Shehut dhe kam qëndruar te dhoma e shërbimit të oficerëve, ku më vonë na kanë njoftuar që; asnjë të mos largohej nga vendi i shërbimit.
Gjatë kohës që kam qëndruar në këtë vend, mora vesh se në shtëpinë e Mehmet Shehut, kishte ardhur Kadri Hazbiu, por vetë nuk e pashë se kur erdhi, më vonë mora vesh se kishte ardhur edhe grupi hetimor-operativ……………………………!
Kohën e saktë nuk e mbaj mënd, kur me urdhër të Ali Çenos, unë së bashku me Rrapush Çelmetën, jemi caktuar që të bënim shërbim në katin e dytë të ndërtesës, ku ishin dhoma e gjumit dhe studioja e Mehmet Shehut dhe Fiqretes.
Kur jam ngjitur në katin e dytë, kam parë se në korridorin e këtij kati, ishin: Llesh Rroku, Milto Kostaqi, Fatos Harito, Bashkim Çuberi, Elham Gjika, eksperti kriminalist, emrin e të cilit nuk e di, si dhe shoku Xhule Çiraku dhe Raqi Iftica. Tjetër njeri nuk më kujtohet që të kem parë në katin e dytë.
Mesa mbaj mënd, në këtë kohë, ende nuk ishin mbyllur dyert dhe pa kaluar shumë kohë, rreth 10-15 minuta, është bërë dyllosja e dyerve, mbasi ato u kyçën. Nëse gjatë këtij momenti, ka dalë njeri nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, unë nuk e kam vënë re, sepse akoma nuk e kisha marrë detyrën.
Mbaj mënd se çelësat e dyerve, i ka sjellë Jonuz Luto, që mesa më kujtohet, ja dha Elham Gjikës, i cili me një person tjetër, që nuk e përcaktoj dot se kush ka qenë, ka bërë dyllosjen e derës së dhomës së gjumit dhe të derës së studios së Mehmet Shehut.
Mbasi ka përfunduar kryerja e këtij veprimi, Elham Gjika më ka porositur mua, që të kisha kujdes në ruajtjen e dyerve, që të mos prekeshin nga asnjë………………………………!
Më kujtohet së kanë kaluar rreth 10 minuta, kur që të gjithë personat, kanë ikur dhe janë ulur në katin e parë të shtëpisë. Nëse ata kanë qëndruar në katin e parë, apo janë larguar menjëherë, unë nuk e di………………………………….!
Dua të theksoj që unë, detyrën për të mos lejuar njeri që të futej në këto dhoma, e kam filluar më urdhër të Ali Çenos, mbasi u largua grupi hetimor nga kati i dytë…………………….!
Pasditen e kësaj date, unë me Ali Çenon, Mete Bonin, Jonuz Luton, Elham Gjikën, Milto Kostaqin, Fatos Hariton, jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, mbasi kemi marrë kufomën e tij, dhe e kemi ulur në katin e parë.
Se kush i ka hapur dyert dhe se kush i ka mbyllur ato, unë nuk e di, por kur më vonë mora shërbimin këtu në katin e dytë, pashë se dyert, ishin të kyçura dhe të dyllosura në rregull………!
Proces-verbalin mbasi m’u lexua dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos pa vërejtje. Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s a t
Pëllumb Rustaj Sokol Koleka Bashkim Caka