Prej ditësh Silvinjo ka nisur nga puna për të përpiluar një ekip ose një listë lojtarësh që do të marrë pjesë në kualifikueset e Botërorit 2026 duke përfaqësuar Kombëtaren shqiptare.
Normalisht siç e dimë, emrat brenda kuqezinjve nuk mungojnë, por pyetja që ngrihet është: a ka forcën ky grup që ta kualifikojë Shqipërinë në Botëror, ose të paktën të përfundojë grupin pas Anglisë në vendin e dytë dhe duke lënë poshtë Serbinë?
Dëshira është e madhe, por Liga e Kombeve na mësoi shumë gjëra dhe në fakt nga një anë nxori edhe brishtësinë që skuadra kishte, por edhe rënia e disa elementëve nga të cilët pritej më shumë. Nuk përjashtohet mundësia që Silvinjo të afrojë ndonjë lojtar të ri, apo siç ekziston edhe mundësia që të rikthejë ndonjë emër që është thirrur edhe më parë, por në pamundësi dëmtimi apo rënie të performancës, ai nuk ka pasur vazhdimësi në Kombëtare.
MUÇOLLI DHE MEHMETI- Dy emra që mund t’i japin freski Kombëtares nga krahët, janë Arbnor Muçolli dhe Anis Mehmeti. I pari është drejt rikuperimit nga një dëmtim në gju dhe mund të jetë një opsion real për ndeshjet e marsit. Plus, faktori tjetër që forcon diçka të tillë është se Silvinjo preferon një anësor nga e djathta i cili luan me këmbën e majtë.
Nëse Muçolli nuk do të ishte dëmtuar shumë pak kohë përpara Europianit, gazeta mëson se ai do të ishte në listën e lojtarëve të përfshirë. Megjithatë, nëse braziliani ka ende besim se Muçolli mund të bëjë punë dhe të jetë një konkurrent për Asanin në atë krah, atëherë një ftesë për të me shumë mundësi do të bëhet gati në muajin mars.
Kur flasim për freskinë e forcave, Anis Mehmeti mund të jetë i duhuri. Luan në Championship, një kampionat i egër, i vështirë, ku luhet fizikisht si edhe një futboll i shpejtë.
Nëse Muçolli është pak specifik në karakteristikat e tij, Mehmeti duhet të vijojë me performancë të nivelit të lartë që të meritojë një ftesë nga trajneri, sepse në rolin e tij është edhe Arbër Hoxha, prej disa ndeshjesh luan Nedim Bajrami, ndërsa atë rol mund ta bëjë edhe Ernest Muçi. E rëndësishme është që emrat janë, por stafi teknik duhet të bëjë zgjedhjet e duhura. PANORAMASPORT.AL