Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. Ndërkohë Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste sot para SPAK në orën 09:30. Në njoftimin e mëposhtëm, PD e cilëson SPAK si “vegël” në duart e kryeministrit Edi Rama “për të përndjekur” kundërshtarët politik.
“Të dashur miq. Ditën e hënë është data e radhës e përcaktuar për tu paraqitur kryetari i PD-së Prof.Dr. Sali Berisha në SKAP. Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
Berisha është shprehur se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai ka deklaruar se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.