Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë të organizuar në prag të inaugurimit të Presidentit Trump, është takuar me të Dërguarin e Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell.
Gjatë bisedës, Basha theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe nevojën për vëmendje amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, përballë sfidave destabilizuese nga Rusia dhe aleatët e saj.
Basha shprehu besimin se administrata e re amerikane do të mbështesë prioritetet kombëtare, përfshirë përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike.
Postimi i plotë i Bashës:
Kënaqësi të bisedoja me Dërguarin e Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell, gjatë ceremonisë së veçantë të organizuar në prag të inaugurimit të Presidentit Trump. Për shqiptarët, SHBA-të mbeten aleati dhe partneri ynë strategjik. Forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit me to është një prioritet madhor.
Vëmendje amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme, veçanërisht për shkak të tendencave të vazhdueshme destabilizuese nga Rusia, e cila përdor aleatët e saj në Serbi dhe Republika Srpska, por edhe aktorë të caktuar politikë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Jam i bindur se Presidenti Trump dhe ekipi i tij do të mbështesin vendosmërisht prioritetet tona kombëtare, duke përfshirë përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe përshpejtimin e integrimeve në institucionet euro-atlantike.