Prokuroria e Posaçme dha pretencën këtë të martë duke kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj të ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim. SPAK tha se për shkak të gjykimit të shkurtuar, Kapri duhet dënuar me 1 vit heqje lirie.
SPAK e mori të pandehur ish-kryebashkiakun pasi e akuzon se me ndihmën e dy zyrtarëve të tij lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12 katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë administrator.
Organi hetues thotë se pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie firmën e kaloi në emër të të vëllait. Sipas hetimeve pallati që ishte 12 katësh në lagjen nr. 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.
Të pandehur për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ janë marrë dhe juristi i bashkisë, Besjan Meço dhe Besmira Niko në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec.